
Zbulohet mesazhi që Bardhi u ka dërguar deputetëve të PD...
Partia Demokratike duket se do t’i rikthehet avazit të vjetër. Pas përplasjeve që ndodhën në seancën parlamentare të së enjtes, PD nesër ka thirrur një mbledhje grupi, ku do të vendoset mbi masat që do të ndërmerren sa i takon jetës parlamentare.
Gazment Bardhi u ka dërguar një mesazh deputetëve, ku kërkon që nesër askush të mos shkojë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, ndërkohë që po ashtu prania në grup është me detyrim.
“1. Nesër, e hënë, datë 10.11.2025, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ora 12:30, NUK duhet të mungojë askush!
2. Nesër, e hënë, derisa të jetë mbledhur dhe të ketë vendosur grupi parlamentar, ASNJË deputet NUK MERR PJESË në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ky do të jetë një reagim i përkohshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në seancën e fundit, derisa Grupi Parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim final. Pra, nesër NUK shkojmë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare.
Ju falënderoj shumë! Shihemi nesër në mbledhje!”, tha Bardhi.
Kujtojmë se PS kërkoi ndëshkimin e Sali Berishës për sulmet ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, socialistët kërkuan përjashtimin nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.
Sipas PS, deklaratat e Berishës ishin fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj diplomatit evropian, duke cenuar jo vetëm dinjitetin personal të tij por edhe imazhin e institucionit të Kuvendit.
Kujtojmë gjithashtu se Kuvendi ka refuzuar ngritjen e komisioneve hetimore të opozitës, për çështjen ‘McGonigal’ dhe zgjedhjet e 11 majit. PD e ka cilësuar vendimin e Kuvendit për mosngritjen e këtyre dy komisioneve, si një akt antikushtetues për opozitën dhe vetë parlamentarizmin.
Nesër pritet që të merret vendimi se si do të reagojë PD dhe duket se do të nisë avazi i vjetër, ku sipas burimeve do të ketë dy skenarë: I pari është ai i bllokimit të punës së Parlamentit dhe komisioneve, ashtu sikundër ndodhi një vit më parë ku u dogjën karrige dhe u hodhën edhe tymuese. Skenari i dytë është që të ketë bojkot parlamentar, por ky i fundit mbështetet më pak.
Lini një Përgjigje