Moska ka hyrë papritur në lojë për çështjen e Kosovës, pasi ka heshtur gjatë zhvillimeve të trazuara që po ndodhin.
Pikërisht, në momentin kur është bërë me dije se Perëndimi ka të dhëna që Moska po përgatit një plan trazirash të tipit ‘2004’ në Kosovë, ka ndërhyrë edhe qeveria e Moskës.
Krahu i djathtë i Sergej Lavrovit në ministrinë e Jashtme ruse, ka akuzuar Albin Kurtin për një plan të riformatimit të kufijve të Ballkanit.
Maria Zaharova, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, ka deklaruar se “Albin Kurti po rrezikon kufijtë e Greqisë, Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi”, duke ju referuar deklaratës së kryeministrit të Kosovës në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Zyrtarja e Moskës ka akuzuar Perëndimin se po zvarrit zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe ka bërë thirrje për rikthimin e zbatimit të rezolutës 1244 të OKB-së.
“Zvarritjes dhe mungesës së vullnetit në çështjet e Kosovës i shtohen edhe kërcënimet e vjetra. Kurti, ndër të tjera, vazhdoi retorikën e tij madhështore – kur së fundi deklaroi se nuk e harron rëndësinë e bashkimit të gjithë shqiptarëve, ndërsa qëllimi kyç i partisë që ai drejton diktohet nga “projekti i papërfunduar i Lidhjes së Prizrenit”, theksohet në deklaratën zyrtare të ministrisë së Jashtme ruse, që sillet në vëmendje nga gazeta e Beogradit Veçernje Novosti.
Sipas Zaharovës: “Ky është një sinjal jashtëzakonisht alarmues, i cili dëshmon për qëllimet e vërteta të Prishtinës, qëndrimin e saj instinktiv ndaj sigurisë dhe paprekshmërisë së kufijve në Ballkan”.
Më pas qeveria ruse thekson se: “Duhen hapa urgjent dhe vendimtarë për ta kthyer Prishtinën në një dialog normal me Beogradin bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Koha nuk është në favor të paqes dhe stabilitetit në këtë rajon”.../Pamfleti
Lini një Përgjigje