Teksa debati vijon, socialistët kanë propozuar një ligj special që i ndalon Belerit të marrë çdo lloj funksioni publik...
Vijon debati për Fredi Belerin. Edhe pse ndodhet mes katër mureve, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës ka krijuar tensione në raportet mes Tiranës dhe Athinës, teksa duket se po përdoret si “mish për top” nga të dyja palët.
Mitsotakis e kandidoi për eurodeputet duke shkaktuar reagime të fortë në Athinë. Veprimi i tij u pa si karshillëk ndaj qeverisë shqiptare. Ndërkohë sipas opozitës greke ai e kandidoi për të marrë votat e ekstremistëve.
Ndërkohë në Shqipëri ende nuk ka një vendim se çfarë do të bëhet me mandatin e tij. Por teksa debati vijon, socialistët kanë propozuar një ligj special që i ndalon Belerit të marrë çdo lloj funksioni publik. Ligji është propozuar nga Petro Koçi dhe ai kërkon që të bëhen ndryshime në ligjin e dekriminalizimit.
Sipas relacionit, nisma synon sanksionimin me ligj të ndalimit përjetë për tu zgjedhur, emëruar apo për tu përfshirë në funksione publike të personave të cilët janë dënuar për fyerje, dhunuar apo përdhosje të simboleve shtetërore apo kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu mbi këtë nismë ai foli sot në një studio telvizive. “Spunto ka qenë nga rasti Beleri, por praktikisht nuk e kap rastin Beleri pasi ajo është një çështje që është duke u mbyllur dhe fakti që kandidon në një shtet tjetër i heq atij çdo lloj shansi për të qenë në krye të bashkisë së Himarës. Në rastin Belerit sistemi ynë ligji e kishte të pamundur për ta penguar”, tha Petro Koçi.

Për të kandiduar në zgjedhjet duhet të propozohesh, ose nga zgjedhësit ose nga partitë politike. Për Petro Koçin, nëpërmjet kësaj dispozite do të shpëtojnë edhe vetë subjektet garuese nga tundimi elektoral përballë idealeve kombëtare.
“Shpëton edhe partitë politik nga mëkati i kandidimit i njerëzve që dyshohet se kanë cenuar integritetin territorial të Shqipërisë, siç është edhe rasti konkret. Pra me këtë ligj ndalojmë partitë politike që kanë profilin e Agimit të Artë në Shqipëri siç është PD-ja dhe LSI-ja, të mund kandidojnë njerëz të tillë”, tha ai.
Lini një Përgjigje