
Nëntë deputetë të opozitës, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Sigurisë, kanë kërkuar një dëgjesë me kreun e SPAK, Altin Dumanin.
Kërkesa e deputetëve të opozitës ka ardhur pasi kreu i SPAK bëri një deklaratë shqetësuese duke thënë se disa çështje nuk mund të hetohen dot në Policinë e Shtetit, për shkak se zyrtarë të lartë të saj kanë bashkëpunuar me krimin.
“Krijimi i një nukli të oficerëve të policisë gjyqësore në policinë e shtetit ku mund të adresojmë procedimet tona mund të bëhet por ne bashkëpunojmë me strukturë të posaçme me drejtorinë e policisë së shtetit. Por janë një kategori çështjesh që ne nuk mund ti hetojmë me policinë e shtetit, sidomos ata kur përfshihen punonjësit e policisë së shtetit. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe cështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë" tha Dumani para KLP-se.
Deputetët e opozitës morën shkas nga kjo deklaratë dhe thanë se Dumani ka raportuat se nivelet e larta të Policisë së Shtetit kanë sabotuar hetime të rëndësishme, janë të pabesueshme si dhe kanë penguar hetimin e ngjarjeve të caktuara duke vështirësuar hetimet e SPAK.
Për këtë arsye, ata kërkojnë Dumanin në mbledhjen më të afërt të këtij Komisioni, për të raportuar gjetjet e tij, dhe shqetësimet për këtë problematikë që e konsiderojnë si problem serioz për sigurinë kombëtare.
Deputetët që kanë bërë kërkesën janë Ferdinand Xhaferi, Lindita Metaliaj, Isu Çelaj, Flamur Noka, Asllan Dogjani, Ervin Salianji, Lefter Gështenja, Kasem Mahmutaj, si edhe Monika Kryemadhi.
Për deklaratën e Dumanit, ka reaguar më herët edhe ministri Taulant Balla, që ka thënë se bashkëpunimi i policisë me SPAK është i shkëlqyer dhe se nuk ka pasur dekonspirim në operacionet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme.
Lini një Përgjigje