Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi këtë të mërkurë se Korridori VIII përbën më shumë se një projekt infrastrukturor, duke e cilësuar atë një nevojë strategjike për rajonin.
“Korridori VIII nuk është thjesht një investim. Ai është një domosdoshmëri strategjike”, u shpreh Spiropali gjatë Ministerialit për Korridorin VIII, që po mbahet në kryeqytet.
Në hapje të sesionit qendror, ku marrin pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov, si dhe ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Şerban, Spiropali theksoi dimensionin historik dhe gjeopolitik të projektit.
“Është kënaqësi t’ju kemi sot këtu, në një takim që nuk lidhet thjesht me një vijë në hartë, por me formën e së ardhmes së rajonit tonë. Korridori VIII është ndërlidhja e munguar lindje–perëndim e Ballkanit Jugor. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi, tregjet me tregjet dhe rajonin tonë me zemrën e Europës. Dy mijë vjet më parë, Via Egnatia arriti pikërisht këtë: lidhi portet, qytetet dhe njerëzit në të njëjtën hapësirë gjeografike. Sot, nuk po shpikim diçka të re. Ne thjesht po përfundojmë një detyrë që historia e ka përcaktuar tashmë për ne: ta bëjmë këtë pjesë të Europës realisht të ndërlidhur”, tha Spiropali.
Sipas saj, koncepti i ndërlidhjes shkon përtej infrastrukturës fizike, pasi nënkupton zhvillim, qëndrueshmëri dhe siguri për vendet e përfshira. Ajo theksoi se projekti është në qendër të politikave kombëtare të transportit.
Spiropali u ndal edhe në aspektin e sigurisë, duke e cilësuar Korridorin VIII një aset me rëndësi për ndërveprueshmërinë brenda NATO-s dhe për arkitekturën e sigurisë në krahun jugor të Aleancës.
“Rrugët, hekurudhat, portet dhe lidhjet energjetike janë asete strategjike. Korridori VIII është i vetmi aks i vërtetë lindje–perëndim në Europën Juglindore. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes vendeve tona, të gjitha anëtare të NATO-s. Kjo i jep këtij korridori një dimension të dytë, shumë praktik. Ai nuk është vetëm një projekt ekonomik dhe integrues.
Ai është edhe një korridor ndërveprueshmërie. Ai mundëson që forcat aleate, pajisjet dhe furnizimet të lëvizin më shpejt dhe në mënyrë më të parashikueshme në rajon, duke forcuar arkitekturën e sigurisë së krahut jugor të Aleancës. Vetëm pak ditë më parë, në Takimin Ministror të Mbrojtjes të NATO-s, u riafirmua rëndësia strategjike e mobilitetit ushtarak në krahun juglindor, duke mundësuar avancimin e përdorimit të dyfishtë të Korridorit VIII përmes financimit të përbashkët të Aleancës. Në këtë kuptim, Korridori VIII kontribuon jo vetëm në tregti dhe rritje ekonomike, por edhe në mbrojtjen kolektive, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin në hapësirën më të gjerë të Detit të Zi dhe Mesdheut”, deklaroi Spiropali.
Në përmbyllje, ministrja theksoi se faza e ardhshme e projektit duhet të fokusohet në hapa konkretë dhe zbatim praktik, me synim shndërrimin e Korridorit VIII në një arterie plotësisht funksionale europiane.
Lini një Përgjigje