
Deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka ka komentuar sulmet e Berishës ndaj Altin Dumanit dhe publikimin e fotos familjare të kreut të SPAK.
Açka thotë se distancohet totalisht nga sulmet e Berishës, duke kujtuar një video të përgatitur me Inteligjencë Artificiale të publikuar në llogarinë e tij në Facebook. Në video shihet kryeministri Rama dhe kryeprokurori Altin Dumani të vendosur në kokat e dy personazheve të animuara të serialit për fëmijë “Tomy dhe Jerry” . Edi Rama është vendosur në trupin e maces Tomy, ndërsa Dumani është vendosur në trupin e qenit.
Video është vijim i sulmit politik verbal që Berisha vijon ndaj kreut të SPAK, ndërsa kjo mënyrë ka ngjallur dhe reagimin e demokratëve.
"Si demokrate e thjeshtë, si përfaqësuese e demokratëve, kjo video e hedhur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, më turpëron. Ndaj si demokrate distancohem publikisht prej saj dhe pres edhe të tjerë demokratë të bëjnë të njëjtën gjë", shkruan Açka.
Ajo thotë se "ne nuk mund ta ruajmë pyllin e demokracisë duke shembur drurët që e mbajnë", teksa e konsideron videon me personazhe të animuara nga "Tom and Jerry", si një veprim që cenon demokracinë e pushteteve të ndara, siç politika dhe drejtësia.
"Por, me këtë video, z. Berisha del kundër mbi 75% e shqiptarëve që besojnë se SPAK po i ndihmon sadopak të ndreqin demokracinë e dëmtuar nga fragmente të këqija të politikës shqiptare, e cila ka detyrë të bëjë mirë të gjitha detyrat", shprehet Flutura Açka.
Deputetja thotë se ajo që e shqetëson më shumë nuk është përçudnimi i Altin Dumanit, as kreditimi i Edi Ramës si fitimtar i përhershëm por tallja e institucioneve të drejtësisë.
“- a mundet në një demokraci të shëndetshme që një pushtet (politika) të marrë guximin të përtallë një pushtet tjetër (drejtësia) kur të dy kanë përgjegjësi të lartë kombëtare?
- a është kjo pjesë e alibisë që po ndërton retorika foltoriste se Rama është i pathyeshëm dhe se do të mbetet në pushtet ngaqë do ta blejë votën (ngaqë nuk do të mundim, a nuk kemi interes ta mbrojmë ne?
- a është kjo mënyra për të fituar besimin e mbi 75 % të shqiptarëve që besojnë te Altin Dumani (me deklarata se “do t’ia presim kokën” kur të jemi ne zot) për të ardhur në pushtet?
- a mos po ndërton kjo formë qesharake alibinë e nevojshme për Edi Ramën që t’i përgjigjet mërzisë së PD-së me Altin Dumanin duke shpejtuar ndryshimet goditëse ndaj SPAK-ut me të famshmin Komision Parlamentar Antikorrupsion?
- a është dhënia e krediteve të tilla të pseudofuqisë Edi Ramēs një shlyerje borxhi të kleringjeve politike që qarkullojnë lirshëm e tingëllojnë tashmë normale në politikën shqiptare?
Unë distancohem publikisht nga kjo video. Po ti?”, shkruan Açka në rrjetet sociale.
Lini një Përgjigje