TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Dhjetor 2024, 20:04

Protesta e 23 dhjetorit, Berisha paralajmëron kaos: Do bllokojmë Tiranën nga Qafë Priska në Vorë!

Shkruar nga Pamfleti

Protesta e 23 dhjetorit, Berisha paralajmëron kaos: Do bllokojmë

Kreu i PD-së, zbuloi se planifikon që të bllokojë qarkullimin jo më vetëm në qendër të qytetit, por edhe më gjerë.

Kreu i Partisë Demokrati, Sali Berisha ka paralajmëruar paralizim total të kryeqytetit në protestën e thirrur prej tij më datë 23 dhjetor.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, ai deklaroi se më 23 dhjetor, ora 17:00, Tirana do të njohë mosbindjen civile më të fuqishme ka parë ndonjëherë.

Në 23 dhjetor ora 17:00 kemi mosbindjen civile më të fuqishmen që ka parë Tirana ndonjëherë. Mbarë Bota mezi e pret këtë mosbindje civile. E kanë mirëpritur kudo në Botë. Ne i jemi mirënjohës mediave ndërkombëtare që kanë pasqyruar protestat tona. Ka gazetarë që kanë humbur vende pune ose janë kërcënuar me humbjen e vendeve të punës për shkrimet që kanë bërë.

Mirënjohja jonë është e pakufishme ndaj tyre. Mediat e Botës i paraqesin me pasion protestat tona, sepse janë anti-diktaturë, janë për liri”, deklaroi Berisha.

Më tej kreu i PD-së, zbuloi edhe një nga planet e protestës, duke theksuar se planifikon që të bllokojë qarkullimin jo më vetëm në qendër të qytetit, por edhe më gjerë.

Nga Qafë Priska deri në Vorë duhet ta bllokojmë Tiranën në të gjitha drejtimet. Jam i bindur se ju do të mobilizoni të gjitha potencialet që keni në këtë mosbindje civile”, tha Berisha

Kujtojmë se në protestën e organizuar më 29 tetor, PD-ja bllokoi disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë-Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan-Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

Protesta vijoi për rreth 3 orë, bllokimi i rrugëve shkaktoi radhë kilometrike trafiku, gjithashtu pati përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Më pas në protestën e datës 26 nëntor, PD vendosi që të përqendrohej vetëm në Tiranë. Gjatë protestës u bllokuan disa rrugë kryesore në kryeqytet; rruga përpara Bashkisë, Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, “Rruga e Elbasanit”, Ura te Xhamia, “Sheshi Willson” dhe Pallati me Shigjeta.

Protesta zgjati për gati 4 orë dhe pati përplasje të shumta me policinë, u përdor gaz lotsjellës, në disa raste edhe autoboti me ujë. Nuk dihet nëse skenari i protestës së radhës do të mbetet i njëjtë me ato dy të fundit, ku organizatorët  nuk kishin një ide të qartë mbi atë se çfarë do të ndodhte. Mbase me rikthimin e Berishës, Noka-Bardhi me shokë, nuk do të shpenzojnë kohë duke pyetur me mesazhe për hapin e radhës por do i marrin direktivat “live”./Pamfleti

 

Lini një Përgjigje