
Mbyllet protesta e opozitës para Parlamentit. Pas gati 1 orë tubim te hyrja e Parlamentit, qytetarët vendosën që t’i japin mbështetje Sali Berishës.
Në protestën e sotme ra në sy fakti se ishin të pranishëm Gazmet Bardhi dhe deputetët krah tij. Fjalën e morën Ervin Salianji dhe Dashnor Sula, por Bardhi nuk foli.
Më pas turma u drejtua drejt banesës së Berishës dhe ra në sy fakti se pjesë e tyre ishte dhe Bardhi. Ky i fundit ka refuzuar të protestojë poshtë apartamentit të Berishës, por sot ka vendosur që të jetë pjesë e turmës.
Pas mbylljes së tubimit aty, Bardhi foli para gazetarëve. Ai u shpreh se grupi parlamentar, por edhe Partia Demokratike në tërësi është e bashkuar. Bardhi tha se pas aksioni në parlament demokratët do duhet të ndërtojnë edhe aksionin jashtë tij, për të cilin sipas tij do të duhet shumë punë.
"Një gjë është e sigurt, PD është e bashkuar, siç është i bashkuar grupi parlamentar. Së pari, siç e kam bërë të qartë në mënyrë të vijueshme, grupi parlamentar i PD dhe PD në tërësi është e bashkuar. Ne kemi vetëm një detyrë, pas aksionit që kemi nisur në parlament, duhet të ndërtojmë edhe aksionin jashtë parlamentit. Sigurisht që ka akoma shumë punë përpara për t’u forcuar PD, por një gjë është e sigurt, PD është e bashkuar, siç është i bashkuar grupi parlamentar", tha ai.
Ndërkohë në fjalëne tij, Sali Berisha ka njoftuar se më 20 shkurt, opozita do të zbresë në shesh kundër qeverisë. Ish-kryeministri ka paralajmëruar se ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, opozita duhet të zbresë në shesh. Pra më 20 shkurt pritet të ketë një protestë kombëtare.
Lini një Përgjigje