TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Qershor 2026, 16:55

Mbledhja e qeverisë, ministrat priten me protesta

Shkruar nga Pamfleti
Mbledhja e qeverisë, ministrat priten me protesta
Foto nga Kryeministria

Një grup protestuesish u mblodhën këtë të premte para godinës së Kryeministrisë, në pritje të përfundimit të mbledhjes së qeverisë dhe daljes së ministrave.

Tubimi vjen në vijim të protestave të ditëve të fundit, ku pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ministrave miratoi një sërë vendimesh, mes të cilave edhe indeksimin e pensioneve me 2.7%, masë që hyn në fuqi më 1 korrik dhe, sipas qeverisë, do të përfitohet nga rreth 900 mijë pensionistë.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se indeksimi do të zbatohet për pensionet e pleqërisë dhe pensionet e veçanta.

"Do të indeksojmë pensionet me 2.7 për qind. Janë 900 mijë përfitues gjithsej që nga data 1 korrik do të kenë mundësi të marrin këtë rritje", tha Ibrahimaj.

Sipas përllogaritjeve të bazuara në një pension mesatar, rritja përkthehet në disa qindra lekë në muaj, ndërsa ndikimi konkret ndryshon në varësi të masës së pensionit që përfiton secili pensionist.

Përveç indeksimit të pensioneve, qeveria miratoi edhe 300 kuota kredish të buta me interes zero për punonjës të administratës publike, si dhe vendime të tjera në fushën e arsimit dhe procesit të integrimit europian.

Ndërkohë, jashtë godinës së Kryeministrisë, protestuesit vijuan thirrjet kundër qeverisë, ndërsa prania e forcave të policisë ishte e shtuar për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit.

 

Lini një Përgjigje