
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi ndaj vendimit të qeverisë për uljen me 20% të akcizës së karburanteve, duke e cilësuar atë si një pranim të vonuar të një realiteti të kahershëm.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se “për 12 vite me radhë qeveria ka mohuar që taksat ndikojnë në çmimin e karburantit”, ndërsa shtoi se ndërhyrja aktuale vjen vetëm pasi çmimet kanë kaluar mbi 200 lekë për litër.
Sipas saj, “ky vendim tregon qartë se barra fiskale ka qenë një nga arsyet kryesore që ka mbajtur çmimet e larta për qytetarët”.
Tabaku theksoi gjithashtu se Shqipëria vijon të ketë ndër çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe në raport me vendet e Bashkimit Europian, duke argumentuar se “rreth 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat”.
Ajo shtoi se kjo situatë “ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, pasi çmimi i karburantit reflektohet në çdo produkt dhe shërbim”.
Në reagimin e saj, deputetja ngriti edhe shqetësimin për strukturën e tregut, duke deklaruar se “një numër i kufizuar kompanish dominojnë sektorin”, ndërsa “mungesa e konkurrencës reale dhe ndërhyrjeve rregullatore e ka përkeqësuar situatën”.
Tabaku akuzoi qeverinë se “në vend që të mbrojë qytetarët, ka përfituar nga rritja e çmimeve përmes të ardhurave më të larta në buxhet”.
Në përfundim, ajo kërkoi që çështja të diskutohet në mënyrë transparente në Kuvend, duke theksuar se “qytetarët kanë mbajtur barrën kryesore të kësaj politike” dhe se nevojitet “një qasje e re për çmime më të drejta dhe një treg më të hapur”.
Perse kishte nevoje te na e thoshte dikush..Mos u bej qesharake Tanaku..Canten Birkin e ke akoma?