Kjo mbledhje e Asamblesë vjen pas një vendimi të Kryesisë së PS-së, ndërsa konsiderohet si nisja zyrtarisht e procesit të zgjedhjeve për kryetarët e rinj të partisë në çdo degë...
Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare paraditen e 21 marsit. Mbledhja e cila konsiderohet me rëndësi sa i takon procesit të ri-organizimit të strukturave të PS-së, do të mbahet në Durrës. Takimi pritet të nisë në orën 10:00, sikundër është njoftuar, ndërsa do të çelet me një fjalim nga Kryeministri Edi Rama. Ky i fundit pritet të ndalet jo vetëm në zhvillimet politike të ditës, por të përcaktojë edhe objektivat që socialistët duhet të kenë për zgjedhjet e rradhës.
Fjalimi i Kryeministrit pritet të ketë si shtylla kryesore mesazhet në drejtim të opozitës, që hera herës e thumbon dhe e ironizon, por edhe sa i takon drejtësisë. Nuk kanë qenë të pakta rastet, kur Kryeministri ka sulmuar me tone të forta drejtësinë, duke dhënë edhe paralajmërime për hapat që mund të ndërmarrë mazhoranca në Kuvend me ndryshime ligjore.
Gjithsesi kundrejt paralajmërimeve të Kryeministrit ka pasur reagime nga ndërkombëtarët, veçanërisht ato kancelari që kanë dhënë dhe japin një mbështetje për SPAK-un, përfshi edhe suportin teknik apo financiar. Ndaj mbledhja e Asamblesë së PS-së, përtej karakterit organizativ që mund të ketë, pritet me interes sa i takon mesazheve, të koduara ose jo, që do të japë Kryeministri qoftë në raport me drejtësinë, ashtu edhe me politikën në tërësi.
Kjo mbledhje e Asamblesë vjen pas një vendimi të Kryesisë së PS-së, ndërsa konsiderohet si nisja zyrtarisht e procesit të zgjedhjeve për kryetarët e rinj të partisë në çdo degë. Procesi synon rinovimin e çdo qelize të partisë, duke përfshirë forumet lokale dhe organizatat bazë. Zgjedhjet për drejtuesit lokalë pritet të mbyllen deri më 12 qershor 2026, datë që përkon me 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.
Tashmë, Kryesia e PS-së ka zyrtarizuar edhe kriteret për ata që do synojnë të drejtojnë degët e PS-së. Referuar kritereve, kandidatët duhet të kenë integritet moral dhe të mos jenë të përfshirë në çështje ligjore apo etike që dëmtojnë imazhin e partisë. Prioritet do t'u jepet personave që kanë treguar aftësi në menaxhimin e fushatave të kaluara dhe që kanë lidhje të forta me bazën.
Pak ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, ka deklaruar se qëllimi është riorganizimi dhe forcimi i strukturave partiake, përfshirë edhe shtrirjen e tyre në diasporë. Në këtë kuadër, do të merren vendime specifike për mënyrën e organizimit në vendet ku ka përqendrim të madh të emigrantëve shqiptarë.
Një tjetër pikë që pritet të diskutohet është programi dhe strategjia për sfidën e ardhshme elektorale. Në pranverën e 2027-ës mbahen zgjedhjet vendore, ku votuesit do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj, por edhe këshhillat bashkiakë. Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar anëtarëve të Kryesisë dhe deputetëve që të intensifikojnë takimet në territor, të mos shkëpusin lidhjet me qytetarët, mesazh që pritet t’I përcillet edhe nesër anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.
Pika e rradhës që pritet të diskutohet nga Asambleja është rivlerësimi i anëtarësisë. Procesi i nisur në mars do të pasohet nga një rivlerësim i anëtarësisë që pritet të përmbyllet rreth muajit qershor. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar fokus maksimal te procesi organizativ, duke tërhequr vëmendjen edhe për debatet e brendshme që mund të shpërfaqen gjatë kësaj faze. Rama ka kërkuar nga strukturat pasjen e një "regjistri real të mbështetësve" dhe nevojën për të balancuar përfaqësimin gjinor në bashkëdrejtimin e organizatave. Socialistët synojnë të zgjerojë bazën e tyre përmes një fushate të quajtur "Ti zgjedh".
Në këtë drejtim do të synohet thithja e studentëve dhe profesionistëve të rinj që nuk kanë qenë pjesë e politikës aktive më parë. Gjithashtu, është menduar, që për herë të parë, të aplikohet një procedurë specifike për shqiptarët jashtë vendit, duke i lejuar ata të kontribuojnë në programin e partisë pa pasur nevojë të jenë fizikisht në Shqipëri. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje