Largimi i Ilir Prodës u imponua nga presioni i partnerëve dhe kriza e besimit te kupola e Policisë së Shtetit, ndërsa zgjedhja e pasardhësit po monitorohet nga afër nga SHBA dhe BE...
Largimi i kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ishte një lëvizje e detyruar e Edi Ramës, i cili e mbajti peng aq sa mundi për ta vonuar aktin.
Kancelaritë dhe agjencitë perëndimore kishin kërkuar prej kohësh ndryshime rrënjësore në Policinë e Shtetit, ndërkohë që edhe SPAK ka shfaqur disa herë pakënaqësinë me kupolën e lartë të uniformave blu.
Prej një viti tashmë, operacionet më të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme kryheshin thuajse totalisht me forcat e saj të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke anashkaluar policinë. Kjo, pasi ka pasur disa raporte kritike pas dështimit të operacioneve për arrestimin e krerëve të bandave kriminale.
Ndërkaq, për zgjedhjen e kreut të ri të policisë, Edi Rama ka ndërmarrë një manovër direkte, duke lënë pezull një “garë” false me 16 kandidatët për postin e drejtorit të përgjithshëm, në mënyrë që të peshkojë lobet që mund të lidhen pas njërit apo tjetrit kandidat.
Ajo pjesë që i intereson Edi Ramës në këtë rast është krijimi i një lobi nga kancelaritë e huaja për të shfaqur preferencat e tyre.
Nëse do të ndodhte kjo, atëherë është planifikuar rrëzimi i fazës së parë dhe shtyrja e zgjedhjes së drejtorit në fazën e dytë, me metodën detyrim-përcaktim.
Por ‘grepi’ i Edi Ramës nuk ka kapur ndonjë peshk dhe normalisht ai nuk mund t’i mashtrojë diplomatët me një lojë të tillë provinciale.
Siç mësohet, si SHBA ashtu edhe vendet perëndimore, e kanë cilësuar në raportet drejtuar kancelarive si një garë të paracaktuar.
Policia e Shtetit konsiderohet një agjenci e politizuar dhe e lidhur ngushtë, kryesisht në nivelet e larta, në mënyrë piramidale me kryeministrin.
Vendet e Bashkimit Europian i kanë kërkuar Shqipërisë që oficerët drejtues të policisë të jenë një trupë që nuk emërohen politikisht, por sipas kritereve të përcaktuara të meritokracisë.
Madje, përveç parimit, mësohet se janë ofruar edhe modele të caktuara për shkëputjen e policisë nga politika. Një prej drafteve më të rëndësishme ka qenë ai që përcaktonte mënyrën e emërimit dhe shkarkimit të eprorëve të uniformave blu, të ngjashme me emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, me një sistem të kryqëzuar që përjashton vendimin politik, sidomos për kupolën e policisë.
Aktualisht, drejtori i Policisë së Shtetit, formalisht kalon në sitë nga një komision i Ministrisë së Brendshme, ku marrin pjesë të emëruar politikë, të cilët i çojnë kryeministrit propozimin pasi të mbarojë selektimi.
Kreu i qeverisë firmos dhe vulos emërimin e ri, duke e bërë këtë post të lartë një nomenklaturë politike, pa një kontroll balancues.
Vende të ndryshme europiane, emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nuk e kanë nomenklaturë politike, por institucionale.
Në Itali, për shembull, kreu i policisë emërohet me firmat e përbashkëta të Presidentit të Republikës dhe ministrit të Brendshëm, me kritere të forta profesionale.
Në Perëndim, krerët e policisë janë kryesisht kuadro që kanë shërbyer ndër vite në radhët e agjencisë së sigurisë, kanë ngjitur karrierën shkallë-shkallë dhe, kur zgjidhen në majë, janë pikërisht në kulmin e karrierës.
Kurse në Shqipëri, emërimet politike kanë bërë që në krye të Policisë së Shtetit, jo vetëm drejtori i madh, por edhe drejtues të tjerë, të jenë djaloshë mustaqepadirsur, të cilët marrin grada në më pak se 10 vjet karrierë.
Ndërkohë, si raportet e brendshme të agjencive të sigurisë, ashtu edhe ato ndërkombëtare, e kanë akuzuar rëndë kupolën shqiptare të policisë si një partnere të krimit të organizuar.
Thuajse çdo muaj dalin fakte të reja të kësaj marrëdhënieje të ngushtë, si nga hetimet e SPAK-ut, ashtu edhe nga drejtësia e vendeve europiane.
Këto raporte bëjnë të ditur se në shumë raste ekzistenca e oficerëve në banda nuk është thjesht marrëdhënie klienteliste dhe korrupsioni, por strukturë piramidale.
Kjo do të thotë se shumë shpesh oficerët që marrin pjesë në bandat kriminale janë të emëruar të baronëve të mafias për të kryer punë direkte për ta. Jo vetëm dhënie informacionesh dhe mbulim krahësh, por edhe vrasje e grabitje për llogari të shefave.
Këto raporte kanë nxjerrë gjithashtu një lidhje të ngjizur të këtyre oficerëve të kriminalizuar me politikën e lartë në vend, duke drejtuar gishtin nga kupola e shtetit.
Për zgjedhjen e kreut të ri të Policisë së Shtetit, vendet europiane, por edhe SHBA, po e monitorojnë procesin mjaft afër. Në ditët e intervistave të kandidatëve pritet të marrin pjesë diplomatë dhe përfaqësues të delegacioneve të agjencive europiane të policisë.
Në fund, pritet të ketë edhe një deklaratë pas emërimit nga Edi Rama të kreut të ri të policisë./Pamfleti
e njejta loje si per ministrat https://telegraf.al/politike/celibashi-i-jep-tenderin-430-milione-leke-vellait-te-ministrit-ferit-hoxha/
Per mendimin Tim meritokracia ka te beje me shkencat ekzakte, jo politike,ne polici etj. Ne procedurat e sotme Vendimin nese e meriton ose jo,e jep nje komision ne perberje te te cilit jane njerez qe shantazhohen ose interesaxhi,te cilet jane thjesht notere dhe pergjegjes te vendimit te marre me pare nga bosi. Kush e mban pergjegjesise qe nje drejtor, dy apo tre,me mandat ligjor 5 vjecar shkarkohet pas nje viti. Komisioni? Ka qene shume ne serioze kur drejtori propozohej nga ministri dhe vendimin e merrte kryeministri. Ketu nuk eshte fjala vetem per drejtorin e pergjithshem por keq e me keq eshte edhe me drejtoret dhe shefat poshte. Me keto ligje e procedura 90% te drejtoreve dhe shefave jane te komanduar,jo te emeruar,derisa te zgjidhet dhe vendos komisioni,si ajo fjala e urte popullore"kur te thote Rrush,ai e ka ngrene nje Kosh".Pastaj komision pas komisioni! A do behet puna?
Ju pyesni se përse i ka Dreqi këmbët e shtrembëruar?!
Ashtu siç u bë me Drjtorin e Gardës