TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Mars 2026, 22:23

Ndizet lufta për kreun e PD, Salianjit i mbyllin derën e kandidimit; çështja drejt gjykatës

Shkruar nga Pamfleti
Ndizet lufta për kreun e PD, Salianjit i mbyllin derën e kandidimit;
Noka & Salianji

Gara për kreun e Partisë Demokratike rrezikon të kthehet në një përplasje të re politike dhe ligjore, pasi kandidimi i Ervin Salianjit kundërshtohet nga drejtuesit e partisë, ndërsa në sfond qëndrojnë edhe debatet për rikandidimin e Sali Berishës.

Partia Demokratike pritet të përfshihet sërish nga një betejë për lidershipin e saj. Katër vite më parë pati një përplasje të fortë me Lulzim Bashën, i cili iku, u rikthye dhe nisi një betejë juridike mbi drejtimin e partisë, betejë që përfundoi pas disa vitesh rropatjesh në dyert e gjykatës.

Më 23 maj, PD do të zgjedhë kreun e saj dhe Sali Berisha duket se po kujdeset të mos ketë rivalë, ndonëse shprehet se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe kërkon proces demokratik.

Përveç Alesia Balliut dhe Evi Kokalarit që kanë deklaruar se do të bëhen pjesë e garës, sot ka shpallur kandidaturën Ervin Salianji.

"Po, do të jem në garë për kryetar të Partisë Demokratike më 23 maj. Pavarësisht se kur ka zgjedhje, e dini, publikohen 6 muaj para listat zgjedhore dhe jepet mundësi e barabartë, sot në PD nuk ka procedurë të përcaktuar qartë, por ka vetëm datë zgjedhjesh. Ajo që e përcakton dhe ndan se kë mbështet shumica, përcaktohet nëpërmjet votës, pavarësisht se politika në përgjithësi duhet të mbahet si domain, apo territor ku fjala e mbajtur përcakton politikanët. Berisha në 2022, kur u rikthye, ka thënë do ta mundë Ramën, nuk m’i vjedh zgjedhjet, do të fitoj zgjedhjet lokale e me radhë. Të gjitha nuk kanë ndodhur”, deklaroi Salianji.

Mirëpo duket se futja e tij në garë do ta fusë PD në një kurs përplasjeje. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, ka deklaruar sot se nuk do të lejohet kandidimi i tij, pasi ai nuk është anëtar i partisë.

Në Partinë Demokratike kanë të drejtë të aplikojnë për të qenë në strukturat drejtuese të gjithë ata që plotësojnë kushtet. Kushti i parë është të jesh anëtar i kësaj partie. Zotëria në fjalë nuk është anëtar i asaj partie. Në PD ka statut, ka rregullore dhe kushti i parë është të jesh anëtar”, tha Noka në një emision.

Por vetë Salianji reagoi mbi këtë qëndrim, duke deklaruar se PD nuk do ta ketë aspak të lehtë me të. I pyetur nëse do të ketë një betejë juridike, ai tha se nuk do t’i tregojë hapat që do të ndjekë, por shtoi se nuk ka rrugë tjetër veç ligjit.

"Unë po ju them edhe njëherë se PD nuk duhet të hyjë në një proces që ti japë avantazh Ramës. Nëse vijnë të më eliminojnë pa rregulla pa ligj unë do rri me duar në xhepa? Janë mësuar këta në të kaluar kështu. Si vetë-rregullohet një sistem veçse nëpërmjet ligjit? Unë nuk lëviz nga PD sepse PD nuk është pronë, është kontribut, është e gjaku i mijëra demokratë që po e shpërdorojnë  një grup njerëzish për një karrige", tha ai. 

Pra sinjalet janë se mund të kemi një betejë juridike, për shkak të nenit të famshëm që futi Berisha në statut. Neni 48 i statutit të PD-së flet për mosrikandidimin e kryetarit kur ai ka drejtuar partinë në zgjedhjet e fundit dhe i ka humbur ato. Pra, në bazë të këtij neni, Berisha nuk mund të rikandidojë dhe nën rrogoz flitet se mund të ketë një ankimim në gjykatë për të bllokuar kandidimin e tij. Dhe me gjasë kjo do të ndodhë, duke e futur PD në një tjetër spirale në dyert e gjykatave. /Pamfleti

salianji noka

2 Komente

  1. T
    Tony

    Hangshi kokat me njeri tjetrin edhe ju te PD si edhe ata te PS.

    1. L
      Latifi

      E mor Salianj!Noka dhe Saliu te tredhen dhe tani ti kerkon ti besh synet.Mire pra kapni gersheret dhe krihuni mire e mire se Rama i bie fyellit

      Lini një Përgjigje