
Qeveria ka vendosur të ngrejë Bordin e Transparencës pas rritjes së çmimit të naftës në treg, që ka arritur në 214 lekë për litër. Vendimi u bë i ditur nga Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një lidhjeje live në emisionin “Top Story” në Top Channel.
Sipas saj, vendimi vjen pas një analize të detajuar të situatës së tregut dhe zhvillimeve të fundit që kanë ndikuar në çmimet.
“Sapo kam dalë nga një mbledhje e gjatë në Kryeministri, me kryeministrin, ministrin e Financave, ministrin e Energjetikës, për të analizuar në detaje situatën. Duke parë ecurinë e ditëve të fundit dhe ndikimin e sulmeve të ditëve të fundit kemi vendosur të ngremë Bordin e Transparencës. Bordi ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ne kemi vendosur të ndërhyjmë edhe në çmimin e akcizës duke e reduktuar në 20%. Janë dy akte të cilat do t’i kalojnë Këshillit të Ministrave. Akciza është te 40 lekë dhe do të ulet te 20%. Do të marrim parasysh taksat dhe për çmimin e shumicës do të ketë një marzh 3 lekë për litër, ndërsa për pakicën 12 lekë për litër. Me anë të këtij mekanizmi garantojmë që çmimet do të jenë të kontrolluara dhe nuk do të ketë asnjë abuzim”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja shtoi gjithashtu se Bordi do të mblidhet sa herë që do të ketë ndryshime të ndjeshme në bursë, duke vendosur çmime tavan për tregtimin e karburanteve. Shkeljet nga operatorët do të penalizohen deri në pezullim licence.
Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, gjatë një konference ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe ministri Karakaçi, ministrja Ibrahimaj ishte shprehur se nuk ekzistonin ende kushtet për ngritjen e një Bordi të Transparencës, duke lënë të kuptohej se një ndërhyrje e tillë nuk ishte e nevojshme në atë moment.
Lini një Përgjigje