
Sali Berisha vendosi të ndjekë modelin e fushatës së Donald Trump...
Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale. Ashtu siç u njoftua, rreth orës 19.00 nisi aktiviteti te sheshi “Nën Tereza”.
Sali Berisha vendosi të ndjekë modelin e fushatës së Donald Trump, kjo edhe për faktin se në krye të fushatës është Chris LaCivita, strategu që i dha fitoren presidentit amerikan.

Pak më parë ka filluar dhe aktiviteti. Përbri universitetit është ngritur një pod madhështor, ndërsa në shesh janë vendosur me mijëra karrige ku janë ulur mbështetësit e kësaj force politike. Ashtu si republikanët në SHBA, në pod janë vendosur të rinj dhe të reja që mbajnë veshur bluze dhe kapele me logon e PD.

Berisha nisi marshimin nga selia e PD dhe krah tij ka qëndruar gjatë gjithë kohës Chris LaCivita. Në këtë aktivitet pritet të ketë fjalime nga përfaqësues të shtresave vulnerabël. Në fund do të flasin Sali Berisha dhe Chris LaCivita.
I pari që mori fjalën ishte anëtari i Kryesisë së FRPDSH, Orest Berberi. Ai tha se më 12 maj, Shqipëria gdhihet blu — si qielli i lirë dhe si deti pa zinxhirë.
“Jemi këtu sepse askush nuk mund ta shuajë dritën e lirisë që u ndez 34 vite më parë! Ai që dikur u përpoq të na shkatërronte nga themelet, që donte të na fshinte si parti, si histori, si zë… Dështoi! Ai dështoi sepse Partia Demokratike nuk është thjesht një logo, një seli, një emër — ajo është zemra e shqiptarëve të lirë! Ajo është forca e njerëzve që nuk u shitën, nuk u përkulën, nuk u dorëzuan! Është forca e rinisë që nuk trembet kurrë. Është frymëzimi i rinisë që nuk shuhet”, tha ai.
Ndërsa mësuese Alketa Lugaj denoncoi gjendjen alarmante të arsimit në Shqipëri, ku shkollat janë boshatisiur për shkak të emigracionit, varfërisë dhe mungesës së shpresës shkaktuar nga qeverisja 12 vjeçare e Edi Ramës, sipas saj.
“Suksesi i nxënësve mbështetet kryesisht në ndihmën prindërore dhe kurset private, jo në cilësinë e shkollave publike. Kjo gjendje i ka rrënjët te dështimi i kurrikulës shkollore, te tekstet nën nivelin ndërkombëtar, te eksperimentimet e papërgjegjshme në reformat arsimore. Një nga arsyet e përkeqësimit të arsimit është politizimi i skajshëm. Drejtuesit e shkollave janë kthyer në komisarë politikë, patronazhistë që qëllim kryesor kanë shantazhimin e mësuesve për të siguruar vota dhe për të mbushur sallat me mësues e nxënës në takime politike”, tha ajo.
Fjalën më pas e mori Komi Furrxhi, fermer i mesëm nga Imishtaj i Lushnjës: “Unë jam sonte këtu sepse jam i interesuar në punën time, kam një interes dhe jam grup interesi. Jam sonte këtu sepse prej 2 muajsh kam dëgjuar Sali Berishën, kryetarin e opozitës, të formulojë në programin e tij ato kërkesa që ne fermerët e Myzeqesë, dhe besoj gjithë Shqipërisë, bëjmë prej vitesh. Financimi për çdo njësi prodhimi, ulja e TVSH-së, barazimi i TVSH-së në blerje dhe në shitje, subvencione të fermerëve dhe krijimi i Bankës së Zhvillimit. Sali Berisha i ka marrë kërkesat tona dhe i ka futur në programin e Partisë Demokratike, dhe unë dua ta falënderoj për këtë”.
Lini një Përgjigje