
Rama detyrohet të marrë fjalën pas problemeve teknike me lidhjen Live....
Partia Socialiste ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale. Ndonëse tha se do të mblidhen të shtunën në orën 12.00, Edi Rama vendosi të mbajë një aktivitet pak para mitingut të PD.
Rama mblodhi te Teatri i Operas dhe Baletit gratë e PS, teksa plani ishte që të kishte lidhje direkte me 12 qarqet e vendit, si dhe me gratë e diasporës.
Por ky skenar duket se nuk eci si duhet. Pas 2-3 lidhjeve, pati probleme dhe Edi Rama u detyrua të marrë fjalën para kohe, pasi pritej që ai të fliste në fund, deri diku në të njëjtën orë me Sali Berishën. Rama tha se më 12 maj Shqipëria do të zgjohet e mbuluar me rozë.
“Mes dy palëve, unë zgjedh të parat gjithmonë, nënat, bijat dhe motrat. Sot në ditën e rënies së gongut të fushatës zgjedhore, nuk mund ta nisim këtë etapë veçse kështu me gratë dhe vajzat. Meritojnë të quhen komandot e armatës sonë fitimtare që koordinojnë veprimtaritë e të gjitha njësive të skuadrës jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shqipërisë. Ai flamur që ju keni qëndisur zonë me zonë, njësi më njësi, do ta mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit. Në mëngjesin e 12 majit Shqipëria do ngrihet e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe vajzave, por edhe ngjyra e PS”, tha Rama.

Më tej ai sulmoi opozitën, duke kujtuar akuzat e saj se Rama fiton për shkak të lidhjeve me krimin. Rama vijoi me avazin se vetëm PS e ka luftuar krimin dhe korrupsionin.
“U them atyre që ju bien fyellit prej shumë vitesh në të njëjtën vrimë, se kjo parti ka mbështetjen e krimit prandaj është e pathyeshme dhe këtë e thonë njerëz që kanë vrarë në bulevard me pushkët e shteti apo ata që mllefin e kanë si motiv për tu zgjuar në mëngjes. Askush asnjëherë më parë nuk e ka luftuar korrupsion si kemi bërë ne dhe e dyta ata le të vazhdojnë që ti bien atij fyelli”, tha ai.
Rama vijoi me sulme ndaj Primareve. Me ironi komentoi edhe faktin që Berisha la jashtë listës kandidatin më të votuar të primareve në Tiranë, Hysen Kadiu.
“Është kthyer si hapëse dyersh të pahapura prej vitesh, nga Kamza në Shkodër, me fitore dhe tani në Kavajë. Mezi pres ta shoh çfarë do dalë më 11 maj, aq më tepër në kushtet kur këneta ia gëlltiti Kavajës mu në thellësitë e zorrëve të beta fituesin e primareve të gjithë Tiranës. Mos duartrokisni se është gjynah ai. Ai besoi tek primaret dhe përfundoi duke u bluar në zorrët e kënetës që i la me të dy gishtat demokratët e Kavajës, ndërsa ne i kemi dhënë atij qyteti dy deputete në listë të mbyllur, që i kanë deputete, Elisën dhe Ilvën dhe dy kandidatë burra, ish-kryeministrin Majko dhe një dajë Kavaje, 4 me 0 është niveli i respektit mes Kavajës dhe kënetës madhështore”, tha Rama.
Në fund Rama nuk kurseu sulmet as ndaj strategut të fushatës së PD, Chris LaCivita, teksa i etiketoi krerët e PD si tufë delirantësh: “Njëherë thonë erdhi sherifi, pastaj thonë erdhi latifi. Vetëm një magji mund ta shpëtojë nga disfata kënetën, dhe këtë e di edhe ai magjistari. Vetëm një magji e shpëton, magjia do t’i ndodhi, por do i dali së prapthi. Këneta do pësojë humbjen më të madhe që nga 1997”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje