TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Shtator 2024, 12:18

Lirimi i Fredi Belerit, reagon Mitsotakis: Greqia nuk harron atë që ndodhi!

Shkruar nga Pamfleti
Lirimi i Fredi Belerit, reagon Mitsotakis: Greqia nuk harron atë që
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe Fredi Beleri në Pallatin Maksimos, Athinë

Qeveria greke ka mirëpretur lirimin e Fredi Belerit nga qelia, vendim që u mor sot nga Gjykata e Fierit.

Përfaqësuesi i qeverisë së Mitsotakis, Pavlos Marinakis i ka kujtuar Tiranës zyrtare se Athina nuk do ta harrojnë atë që ndodhi në periudhën e 16 muajve të fundit.

“Te Fredi Beleri, qeveria sheh pakicën etnike në Shqipëri. Tani pakica greke ka një përfaqësues në Parlamentin Evropian që do të flasë për të drejtat e njeriut të cilat janë të shenjta. E mirëpresim lirimin, por nuk harrojmë atë që ndodhi në 16 muajt e mëparshëm” tha ai.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier pranoi kërkesën e Fredi Belerit për lirimin me kusht nga burgu.

Kjo ishte seanca e katërt në Gjykatën e Fierit për shqyrtimin e kësaj kërkese nga ana e Fredi Belerit. Me këtë vendim, Beleri fiton lirinë 1 muaj e gjysëm përpara nga koha e mbetur për vuajtjen e dënimit.

Në seancën e sotme, Beleri u përfaqësua nga avokati Geni Gjyzari. Ndërkohë, ishte gjyqtari i çështjes, Alfred Konomi, ai i cili shqyrtoi provat dhe argumentet e paraqitura nga të dyja palët.

Pas dhënies së vendimit, avokati i çështjes Geni Gjyzari ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 5 mars të 2024 që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.

Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë. Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetetësit e Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë.

Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.

 

beleri mitsotakis

Lini një Përgjigje