
Deputeti i PS Blendi Klosi dhe ai i PD Flamur Noka debatuan lidhur me aksionin e opozitës sot në Kuvend që përfundoi në konfrontim fizik me deputetët e mazhorancës.
Noka, duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla si ‘Linda e Parlamentit’, tha se ajo është turpi i parlamentarizmit në 33 vjet.
Klosi e cilësoi të papërshtatshme gjuhën e përdorur nga Noka, duke i sugjeruar që të përdorë një gjuhë më etike ndaj kryetares së parlamentit.
“Lindita Nikolla, edhe si burrë malësie që je, ne e njohim njëri-tjetrin jashtë kamerës, e di që nuk je kjo që thua, je burrë xhentil. Ajo është kryetarja e parlamentit, nuk mund t’i drejtoheni kështu. Ky është opinioni juaj dhe ka pak rëndësi ka”, tha Klosi në emisionin Now.
Ndërkohë, deputeti Noka tha gjithashtu se ende nuk është parë asgjë nga ajo që pritet të ndodhë brenda parlamentit.
Teksa diskutohej për tensionet dhe konfrontim fizik në Kuvend, Noka nuk u përpoq të qetësonte tonet, por duke e justifikuar çfarë ndodhi, paralajmëroi për situata edhe më të tensionuara.
“Prisni se s’keni parë gjë akoma. Këtë thashë unë, tjetrën zbërthejeni ju. Unë këtë thashë, prisni se s’keni parë gjë akoma. E mbani mend kur Edi Rama na tha në vitin 2013 prisni se s’keni parë gjë akoma, pra ai tregoi se si do përshkallëzohej arroganca, arbitrariteti, dhuna ndaj opozitës, mohimi i lirive të tyre ligjore dhe kushtetuese. Tani unë po them që brenda atij parlamenti, prisni se s’keni parë gjë akoma", u shpreh Noka.
Lini një Përgjigje