
Presidenti amerikan e sulmoi si “të dobët” dhe “të tmerrshëm për politikën e jashtme”, por Papa nuk u tërhoq: Kisha nuk flet me gjuhën e luftës, por me mesazhin e paqes. Përplasja zbulon një ndarje të thellë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Vatikanit.
Përplasja mes Donald Trumpit dhe Papa Leo XIV nuk është thjesht një incident verbal. Është një duel mes dy botëkuptimeve: njërit që e sheh forcën si instrument politik, dhe tjetrit që e sheh paqen si detyrim moral. Pikërisht këtu qëndron thelbi i reagimit të Papës, i cili i ktheu përgjigje presidentit amerikan me një fjali që godet fort: “Ne nuk jemi politikanë… jemi paqebërës.”
Trump e hapi sulmin me një postim të ashpër në rrjetet sociale, ku e quajti Papën “weak on crime” dhe “terrible for foreign policy”. Sipas raportimeve të Reuters dhe AP, sulmi erdhi pasi Papa kishte kritikuar hapur luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, duke e paraqitur konfliktin si një çmenduri politike e morale që po i kushton botës civilë, destabilitet dhe frikë.
Përgjigjja e Papa Leo-s erdhi në avionin papnor, gjatë udhëtimit drejt Algjerisë, në kuadër të turit të tij afrikan. Ai deklaroi se nuk ka frikë nga administrata Trump dhe se nuk do të ndalojë së foluri “me zë të lartë” për mesazhin e Ungjillit. Po ashtu, theksoi se Kisha nuk operon me të njëjtën logjikë me të cilën shtetet bëjnë politikë të jashtme, por me logjikën e ndërgjegjes, paqes dhe mbrojtjes së jetës njerëzore.
Kjo është pika ku Trump gabon rëndë në leximin e Vatikanit. Papa nuk po hyn në një garë politike me Shtëpinë e Bardhë. Ai po e refuzon vetë terrenin e kësaj gare. Kur thotë se Kisha nuk është aktor politik, por zë moral, ai po i kujton botës se ka kufij që as pushteti, as propaganda, as retorika ushtarake nuk mund t’i shkelin pa pasoja. Në këtë kuptim, reagimi i tij është shumë më tepër se mbrojtje personale; është një akt pozicionimi moral përballë gjuhës së forcës. Kjo lexohet qartë edhe në raportimet ndërkombëtare që e paraqesin konfliktin si një “public feud” mes presidentit amerikan dhe kreut të Kishës Katolike.
Fakti që përplasja lidhet me luftën ndaj Iranit e bën këtë episod edhe më të rëndë. Papa Leo ka qenë i zëshëm kundër përdorimit të fesë për të justifikuar luftën dhe kundër asaj që ai e ka quajtur një iluzion i rrezikshëm i gjithëfuqishmërisë. Kjo është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj logjikës së superfuqive që e shesin ndërhyrjen ushtarake si rend, ndërsa prodhojnë kaos. Pikërisht kjo duket se ka irrituar Trumpin, i cili kërkon bindje politike edhe aty ku Vatikani kërkon pendesë morale.
Në planin diplomatik, kjo përballje është e pazakontë. Jo shpesh ndodh që një president amerikan të sulmojë kaq hapur Papën, dhe akoma më rrallë që Papa t’i përgjigjet pa ekuivok. Por Leo XIV nuk zgjodhi të zbriste në nivelin e polemikës. Ai nuk e sulmoi Trumpin si person; sulmoi logjikën që përfaqëson ai. Dhe kjo e bën reagimin e tij më të fortë. Sepse aty ku Trump kërkoi përplasje politike, Papa dha një përgjigje morale. Aty ku presidenti kërkoi ta paraqiste si aktor partie, Papa u vetëpërcaktua si zë i paqes.
Mesazhi final i kësaj përplasjeje është i qartë: Vatikani nuk pranon të rreshtohet pas logjikës së luftës vetëm sepse ajo vjen e veshur me flamur, aleancë apo interes strategjik. Papa Leo XIV po dërgon sinjalin se autoriteti moral i Kishës nuk do të heshtë përballë bombardimeve, civilëve të vrarë dhe përdorimit të Zotit si mbulesë për dhunën. Dhe pikërisht kjo është ajo që e bën këtë papë problem për politikanët që kërkojnë bekim, por jo ndërgjegje./Pamfleti
Lini një Përgjigje