Projekti i Edi Ramës për një ministre virtuale përballet me akuza penale ndaj zhvillueseve dhe me krizë besueshmërie
Kryeministri shqiptar Edi Rama kishte plane të mëdha kur emëroi një chatbot si anëtare të kabinetit qeveritar. Por tashmë po bëhet e qartë se ky sistem nuk po rezulton efektiv në luftën kundër korrupsionit. Në mënyrë ironike, vetë krijueset e tij dyshohen për mashtrim , shkruan në një artikull Gazeta zvicerane NZZ.
Sipas gazetares, Nicole Anliker, Edi Rama e prezantoi “Diellën” si një sistem që nuk fle kurrë, nuk merr rrogë dhe nuk ka interesa personale, duke e konsideruar të pakorruptueshme. Ministrja virtuale mori përgjegjësinë për prokurimet publike, me detyrën për të krahasuar në mënyrë të pavarur ofertat në tenderë përmes algoritmeve. Qeveria pretendoi se kjo do të garantonte procese plotësisht pa korrupsion, një problem i përhapur në këtë sektor.
Kryeministri e përshkroi atë si “vajzën” e tij dhe theksoi se, ndryshe nga njerëzit, ajo nuk ka lidhje familjare që mund ta çojnë drejt nepotizmit. Emërimi i saj tërhoqi vëmendje ndërkombëtare, duke qenë se “Diella”, emri i së cilës në shqip do të thotë diell, u prezantua si ministrja e parë virtuale në botë.
Ky hap ishte pjesë e një strategjie më të gjerë për të çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, ku lufta kundër korrupsionit mbetet një kërkesë kyçe. Megjithatë, vetëm gjashtë muaj pas prezantimit, projekti po përballet me sfida serioze, përfshirë probleme besueshmërie dhe një proces gjyqësor.
Sipas qeverisë, “Diella” u prezantua më 19 janar 2025 si asistente virtuale në platformën shtetërore E-Albania, duke ndihmuar qytetarët me procedurat administrative online. Më pas ajo mori një avatar vizual që mund të komunikonte, duke u paraqitur si një grua me veshje tradicionale nga veriu i Shqipërisë.

Chatboti u zhvillua nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në bashkëpunim me Microsoft. Megjithatë, në dhjetor, drejtoresha e agjencisë dhe zëvendësja e saj u vendosën në arrest shtëpie nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ato përballen me akuza të rënda penale, përfshirë përfshirjen në një organizatë kriminale që manipulonte tenderët publikë. Sipas akuzës, ato favorizonin kompani të lidhura dhe përdornin kërcënime për të larguar konkurrentët. Raportohet se nga këto veprime janë devijuar 5 deri në 10 milionë euro.
Skandali ka dëmtuar ndjeshëm besueshmërinë e “Diellës”. Kritikët argumentojnë se sistemi është pjesë e të njëjtit mekanizëm dhe nuk mund të shërbejë si zgjidhje kundër korrupsionit. Që në fillim, opozita dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese e kundërshtuan nismën, duke e cilësuar si propagandistike dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
"Që në fillim, kur Rama prezantoi këtë risi, opozita protestoi duke e quajtur iniciativën antikushtetuese dhe propagandistike. Edhe juristë dhe ekspertë ngritën shqetësime për mungesën e transparencës.
Nuk është e qartë:
-me çfarë të dhënash ushqehet inteligjenca artificiale,
-kush e programon dhe e mbikëqyr,
dhe mbi çfarë kriteresh merr vendime.
Kodi i saj nuk është publik. Gjithashtu ka kritika për mungesën e statusit ligjor: askush nuk e di se kush mban përgjegjësi juridike dhe politike në rast vendimesh të gabuara apo të paligjshme. Kjo krijon rrezikun që politikanët apo zyrtarët të ia kalojnë fajin inteligjencës artificiale për rastet e korrupsionit.
Megjithatë, kryeministri nuk tërhiqet nga kritikat. Ai vazhdon ta mbështesë ministren virtuale. Në faqen zyrtare të qeverisë, Diella paraqitet si pjesë e kabinetit, njësoj si ministrat realë.
Madje, në fund të tetorit, Rama deklaroi: “Diella është shtatzënë me 83 fëmijë”. Këta “fëmijë” janë chatbot-e të reja që do të shërbejnë si asistentë për deputetët, do të marrin pjesë në mbledhje, do të mbajnë shënime dhe do t’u japin këshilla", thuhet në artikull.

Pavarësisht kritikave, Rama ka deklaruar se do të vazhdojë me projektin. Në faqen zyrtare të qeverisë, “Diella” figuron si pjesë e kabinetit. Ai ka njoftuar gjithashtu zgjerimin e iniciativës me dhjetëra chatbotë të rinj që do të asistojnë deputetët në punën e tyre, duke marrë pjesë në mbledhje dhe duke ofruar këshilla.
Ndërkohë, një tjetër sfidë ligjore vjen nga aktorja shqiptare Anila Bisha, e cila i ka dhënë zërin dhe imazhin avatarit. Ajo ka paditur qeverinë, duke pretenduar se përdorimi i figurës së saj si “ministre virtuale” është bërë pa pëlqimin e saj dhe përtej marrëveshjes fillestare. Ajo kërkon ndërprerjen e përdorimit të imazhit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Zëdhënësja e qeverisë e ka cilësuar padinë si të pabazë. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje