TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Prill 2026, 12:49

Berisha harron ‘mikun e përzemërt’ Viktor Orban, uron kryeministrin e ri në Hungari

Shkruar nga Pamfleti
Berisha harron ‘mikun e përzemërt’ Viktor Orban, uron
Sali Berisha

Nga entuziazmi i dikurshëm për Viktor Orbán, Sali Berisha ka deklaruar se mbështetjen e menjëhershme për rivalin tij, Péter Magyar që fitoi dje zgjedhjet në Hungari.

 Berisha duket se ka vendosur të mos mbetet kurrë pa një “mik të përzemërt” në Hungari, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet.

"Dje populli hungarez, në një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, votoi masivisht alternativën e paraqitur nga Péter Magyar, kryetar i partisë së qendrës së djathtë TISZA, anëtare e EPP-së. Me këtë rast, uroj zotin Magyar për fitoren elektorale dhe besimin e madh që mori nga qytetarët e vendit të tij. Shpreh gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike për një bashkëpunim të frytshëm me TISZA-n, si në rrafshin bilateral, ashtu edhe në atë të EPP-së, në interesin më të mirë të dy vendeve tona.", shkruan kreu i PD.

Vetëm pak vite më parë, në vitin 2022, Berisha e ngrinte në piedestal Orbánin, duke e cilësuar si një lider historik dhe mikun më të madh të Partisë Demokratike në 30 vite. Fitorja e tij e katërt ishte, sipas Berishës së asaj kohe, “spektakolare” dhe një shpërblim për reformat madhore.

“Fitore e shkëlqyer e kryeministrit Victor Orban! Miq, dje në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Hungari, kryeministri Victor Orban dhe partia e tij Fidesz arritën një fitore spektakolare. Ata morën 53.1% të votave kundrejt koalicionit të majtë dhe ekstrem të djathtë, të cilët morën 35% të votave. Me këtë fitore të shkëlqyer dhe historike, Viktor Orban merr mandatin e katërt radhazi si kryeministër i Hungarisë, shpërblim ky i suksesit të madh të reformave të tij të gjithanshme. Shqipëria dhe Partia Demokratike kanë te kryeministri Victor Orban dhe partia e tij miqtë më të mirë të këtyre 30 viteve ndaj dhe ju ftoj të dashur miq t’i përcjellim Kryeministrit Orban dhe partisë së tij simotër e PDSH, urimet më të përzemërta për këtë fitore historike për Hungarinë!”, shkruante Berisha në 4 Prill të 2022.

Por ja që politika, si gjithmonë, ka një memorie selektive.

Në prill 2026, pa u tharë mirë boja e lavdeve të dikurshme, Berisha ka kthyer faqen me një shpejtësi që do ta kishte zili çdo atlet sprinti.

Tani në qendër të vëmendjes është Péter Magyar, të cilin e uron për “fitoren elektorale” dhe për “besimin e madh të qytetarëve hungarezë”, ndërsa Orbán përmendet më shumë si një shembull se si duhet pranuar humbja.

Ironia thellohet edhe më shumë kur Berisha e përdor ish-aleatin e tij për të dhënë leksione demokracie, duke e krahasuar me Edi Rama. Pra, nga lavdërues i zjarrtë i Orbán-it, në komentator neutral të humbjes së tij, një transformim që ndodh pa asnjë reflektim për deklaratat e së shkuarës.

"Për t'u theksuar është fakti se, në dallim të madh nga Edvin Kristaq Rama, kryeministri Viktor Orbán nuk zhvilloi një farsë elektorale, por zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai nuk u fali zgjedhësve dy miliardë euro gjoba dhe kamata dy ditë para votimit për të blerë votat e tyre dhe për të tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve. Ai nuk u dha pensionistëve, që përbënin gjysmën e votuesve, "dhurata" prej 100 eurosh në këmbim të votës, siç bëri Edi Rama në mesin e fushatës për zgjedhjet e 11 majit.

Ai nuk përdori organizata kriminale dhe kartele droge për të terrorizuar qytetarët e për të kontrolluar vullnetin e tyre, ashtu siç bëri "Ramaduro" në Shqipëri. Ai nuk dekretoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis për vota, siç veproi narkodiktatori në Shqipëri. Qeveria e tij nuk ndërtoi një komision zgjedhor karikaturë si ky i Shqipërisë, por ngriti një komision me përfaqësim të gjerë të spektrit politik. Së fundmi, kryeministri Orbán nuk vendosi nën kontroll 90% të mediave të vendit dhe nuk bllokoi TikTok-un si Edi Rama; përkundrazi, televizionet më të shikuara të Hungarisë mbështetën kundërshtarët e tij.", shkruan Berisha në postim e sotëm teksa uron kryeministrin e ri hungarez.

sali berisha viktor orban

Lini një Përgjigje