Kryeministri Edi Rama këtë të hënë ndodhet në Vlorë. Pas vizitës në kantierin e “Lungomare 4” pranë zonës së Plazhit të Vjetër, ai u zhvendos në Pallatin e Kulturës, ku po zhvillon një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste të qytetit.
Në axhendën e sotme e planifikuar është dhe mbajtja e Asamblesë, në kuadër të turit të nisur nga qeveria ‘Punët për Shqipërinë’.
Në fokus të këtyre takimeve në të gjithë qytetet e vendit, janë problematikat e qytetarëve ndërsa puna ka nisur dhe për zgjedhjet lokale që pritet të zhvillohen pranverën e ardhshme.
Gjatë inspektimit në terren, Rama u shoqërua nga kryetarja e bashkisë Brunilda Mersini, përfaqësues të pushtetit vendor dhe inxhinierë të projektit. Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, paraqiti ecurinë e punimeve dhe detajet teknike.
Segmenti “Lungomare 4” përbën vazhdimin e shëtitores ekzistuese në drejtimin perëndimor dhe shtrihet në një gjatësi rreth 500 metra. Projekti përfshin një shëtitore me gjerësi afërsisht 7 metra dhe një pistë biçikletash prej 2 metrash, të konceptuara si hapësirë e përbashkët për këmbësorë dhe çiklistë.
Sipas të dhënave nga kantieri, punimet nëntokësore janë drejt përfundimit dhe përfshijnë betonimin dhe sistemet e vaditjes.
Ndriçimi publik parashikohet të vendoset në fazën përmbyllëse.
Autoritetet synojnë përfundimin e këtij segmenti brenda mesit të majit, me qëllim përdorimin gjatë sezonit turistik.
Lini një Përgjigje