
Ka shumë të tjerë që kanë 30 vite që e rrjepin këtë popull dhe vijojnë shijojnë milionat...
Për herë të parë në 30 vite demokraci, pavarësisht shumë akuzave dhe skandaleve, Sali Berisha do të ulet në bankën e të akuzuarve përballë një trupi gjyqësor. Dje SPAK dorëzoi në gjykatë dosjen “Partizani”, teksa Berisha akuzohet për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij për korrupsion dhe pastrim parash.
Por telashet ndaj tij nuk kanë përfunduar. SPAK ka nisur hetim pasuror ndaj tij dhe kjo është ndarë në një dosje më vete. Prokurorët po skanojnë pronat, llogaritë bankare dhe të gjitha transaksionet. Po ashtu, pjesë e verifikimeve janë bashkëshortja dhe djali i Berishës.
Por normalisht tani shtrohet pyetja, kush e ka radhën pas Berishës? Padyshim ai është një ndër “peshqit e mëdhenj”, por nuk është i vetmi. Ka shumë të tjerë që kanë 30 vite që e rrjepin këtë popull dhe vijojnë shijojnë milionat.
Një ndër ta është padyshim Ilir Meta. Kreu i PL ka filluar ta ndiejë frikën. Ditët e fundit ka rikativizuar sulmet, teksa i shkoi dhe në burg Salianjit, për të parë nga afër kushtet. Ai e di se pasi të nisë gjyqi ndaj Berishës, SPAK-ut i duhet një tjetër goditje e bujshme për të mbajtur lart reputacionin dhe kreu i PL është më i rrezikuari.
Ndaj tij ka shumë akuza. Kemi rastin CEZ-DIA që po hetohet më vete. Ndërkohë në një dosje janë mbledhur lobimi në SHBA, ndërhyrjet estetike dhe fshehja e pasurisë. SPAK ka dërguar letër-porosi të paktën në 7 shtete dhe po verifikon me detaje pronat e çiftit në divorc Meta-Kryemadhi. Sinjalet janë se letrat po kopsiten dhe zgjedhjet mund ta gjejnë kreun e PL pas hekurave, gjithmonë nëse SPAK ecën sipas ligjit dhe jo sipas Maliqit.
Ndërkohë kemi dhe dosje të tjera në pritje. Kemi dy ish-ministre të PS, si Olta Xhaçka dhe Frida Krifca që po hetohen në prapaskenë. Njëra për pronat e Ushtrisë dhe tjetra për fondet e BE.
Zhvillime do të ketë dhe për “21 Janarin”, ku emra si Berisha, Basha, Topi, etj do të merren në pyetje.
Ndërkohë pritet një aksion i gjerë në kuadër të SKY ECC. Sipas informacioneve, pritet të arrestohen gjyqtarë, prokurorë dhe madje dhe anëtarë të organeve të reja të drejtësisë si KLGJ apo KLP.
Te arrestimi i kryeprokurorit të Vlorës Aurel Zarka, u dha sinjali se do të ketë të tjera arrestime. Ai kishte ndërhyrë te dosja e Toyota Yris dhe SPAK kërkoi të mos publikohet dosja, pasi në bisedat që i janë zbuluar, ai përmend emra gjyqtarësh, avokatësh dhe prokurorësh të tjerë. Për ta po kryen verifikime.
Por po ashtu, në dosje të tjera dalin shumë gjyqtarë dhe prokurorë që e kanë kaluar vettingun. Edhe ata kanë ndërhyrë te dosje të caktuara. Hetimet janë drejt fundit dhe flitet për një numër rekord që mund të arrestohen ose procedohen, prej qindra personash. /Pamfleti
Lini një Përgjigje