Pse AKEP e ka licensuar portalin e “Organizatës së Gazetarëve Ortodoksë” duke i dhënë edhe domenin .al?
Ka pak kohë që në Shqipëri ka hyrë një produkt mediatik i propagandës së Kremlinit, por kësaj here me qitje indirekte.
Është një portal i ngjashëm me Sputnikun, i cili prej nisjes së luftës në Ukrainë është bllokuar në hapësirën europiane.
Si Sputnik, ky portal i ri ka depërtuar në Ballkan, por me një avancim më të madh, boton një edicion në gjuhën shqipe, ndërkohë që vetë Sputnik editonte në Ballkan vetëm në gjuhën serbe.
Ky portal, publikon gjithashtu në serbokroatisht, anglisht, gjermanisht dhe greqisht.
Portali quhet “Unioni i Gazetarëve Ortodoksë” dhe domeni i marrë nga AKEP është UGO.al.

Në shpjegimin zyrtar që ky portal tregon për veten, e thotë qartë se qëllimi i tij është kundërshtimi i qëndrimit zyrtar të Ukrainës ndaj kishës ruse.
“Në krahasim me shumicën e burimeve kishtare të informacionit të mediave, të cilat veprojnë në kushte të njohura dhe shpesh riprodhojnë materiale të gatshme, ekipi ynë ka punuar për të zbuluar pasurinë e brendshme të Kishës Orthodhokse të Ukrainës. Ne u përpoqëm t'i tregonim publikut urtësinë e saj, për të paraqitur njerëz unik dhe shpirtërisht të pjekur, zërat e të cilëve mund të frymëzonin të tjeret”, theksohet në portal.
I cili objektivin kryesor ka sulmin ndaj Kievit zyrtar, përkatësisht ndaj qeverisë së Zelenskyt, që sipas tyre kanë dëbuar Kishën Ortodokse Ruse nga Ukraina.
Në aparencë ky portal ka një kronikë të veprimarisë së Kishës Ortodokse shqiptare, por nuk nguron të pasqyrojë intervista të hierakëve rusë, të cilët sulmojë Ukrainën dhe kishën e saj.
Njësoj si Beogradi dhe kisha serbe që sulmojnë Malin e Zi dhe Kishën autoqefale atje.
Problemet mes Kishës ruse dhe asaj ukrainase vijojnë e sipas gjasave nuk do të reshtin për një kohë të gjatë, ndoshta edhe përgjithmonë.
Po ç’punë kanë ortodoksët shqiptarë dhe Kisha e tyre autoqefaqe që të ndikohen nga një version propagandistik i këtij sherri. Shizma dhe tarikatet religjioze nuk reshtin në të gjithë komunitetet fetare, e do të vijojnë të jenë për sa kohë pushteti është në rend dite.
Njerëzit, janë krejt të lirë të kenë opinionet e tyre për ndarjet sektare, por ama këtu kemi të bëjmë me një propagandë të dedikuar. Që në Ballkan ka zgjedhur Shqipërinë, një vend i NATO-s, dhe nga ana tjetër edhe i përcaktuar si jo i lidhur me Kremlinin.
Atëherë përse AKEP ka licensuar portalin e “Organizatës së Gazetarëve Ortodoksë” duke i dhënë edhe domenin .al? Vallë, ish-këshilltarit të Edi Ramës që drejton AKEP i ka shpëtuar? Apo e ka dhënë vetë kryeministri dritën jeshile, gjë që është e kuptueshme për rastin në fjalë.
Rama ka kohë që ka marrëdhënie paralele e tangenciale me Kremlinin. Ka mik të ngushtë presidentin e Emirateve që flet non- stop me Putinin dhe pastron paratë e klanit të tij, ka darkuar në Azerbaxhan së bashku me Lukashenkon, njeriun më të afërt të Putinit. E sot, ne kemi një gozhdë mediatike e propagandistike, njësoj si Sputnik. Ndërkohë që në takime nëpër fshatra flet për hyrjen në BE./Pamfleti
Lini një Përgjigje