TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Shtator 2025, 11:22

KQZ shpërndan fondet paszgjedhore për partitë e reja, sa para morën secila

Shkruar nga Pamfleti

KQZ shpërndan fondet paszgjedhore për partitë e reja, sa para

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë një fond prej 12.7 milionë lekësh si kompensim financiar paszgjedhor për katër parti politike që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe që nuk kishin përfituar fonde publike përpara fushatës.

Përfituesit janë: Lëvizja Bashkë, Lëvizja Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia dhe Partia Koalicioni Euroatlantik. Sipas përllogaritjeve të KQZ-së, kompensimi ndahet si më poshtë:

–Lëvizja Bashkë – 2.3 milionë lekë,

–Lëvizja Shqipëria Bëhet – 3.8 milionë lekë,

–Partia Mundësia – 4.6 milionë lekë,

–Koalicioni Euroatlantik – 1.9 milionë lekë.

Kriteri kryesor për të përfituar kompensim ishte kalimi i pragut prej 1% të votave të vlefshme në rang kombëtar. Vlera e një vote të vlefshme është llogaritur në 94 lekë, sipas vendimit të KQZ-së.

“Qëllimi i këtij projektvendimi është kompensimi financiar paszgjedhor për ato subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë përfituar nga shpërndarja e fondeve si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, të datës 14 maj 2023 dhe kanë marrë jo më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi bazuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.”, thuhet në vendimin e KQZ-së.

Ndërsa partitë që kishin përfituar fonde paradhënie për fushatën, nuk përfshihen në këtë shpërndarje.

Në rastin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, kompensimi i jepet vetëm partisë Lëvizja Shqipëria Bëhet të Adriatik Lapajt, pasi partia e Endri Shabanit, Nisma Thurje kishte përfituar fonde përpara zgjedhjeve. KQZ sqaroi se kompensimi u llogarit mbi bazën e votave që secila parti mori në mënyrë individuale brenda koalicionit.

Në dokument thuhet gjithashtu se Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 11 Maj 2025 ishte 150 milionë lekë. Referuar vendimit nr. 292, datë 21.3.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për përcaktimin e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që do t’u shpërndahet partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 Maj 2025”, partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore që kanë përfituar fonde paradhënie të akorduara nga Buxheti i Shtetit në zgjedhjet e datës 11 Maj 2025, janë si më poshtë:

Partia Demokratike – 44.818.545 (dyzet e katër milion e tetëqind e tetëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzet e pesë) lekë.

Partia Republikane – 2.689.112,70 (dy milion e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e dymbëdhjetë presje shtatëdhjetë) lekë.

Partia “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” – 896.370,90 (tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë presje nëntëdhjetë) lekë.

Partia “Socialiste e Shqipërisë” – 65.291.390 (gjashtëdhjetë e pesë milion e dyqind e nëntëdhjetë e një mijë e treqind e nëntëdhjetë) lekë.

Partia e Lirisë – 9.140.730 (nëntë milion e njëqind e dyzet mijë e shtatëqind e tridhjetë) lekë. – Partia “Drejtësi, Integrim dhe Unitet” –1.792.735 (një milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e pesë) lekë.

Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” – 896.370,90 (tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë presje nëntëdhjetë) lekë.

 Partia “Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë” – 896.370,90 (tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë presje nëntëdhjetë) lekë.

Partia “Lëvizja e Legalitetit” – 896.370,90 (tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë presje nëntëdhjetë) lekë.

Partia Socialdemokrate – 3.015.375 (tre milion e pesëmbëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë.

Partia “Nisma Thurje” – 868.445 (tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e katërqind e dyzet e pesë) lekë.

Lini një Përgjigje