TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Shkurt 2025, 11:21

Konsensusi në SHBA për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë: shkëmbimi i territoreve

Shkruar nga Francesco De Palo

“Nga pikëpamja teknike, ardhja e presidencës Trump lejon ndryshimin e letrave në tavolinën e lojës, dhe për rrjedhojë hap perspektiva dhe mundësi që më parë ishin të paimagjinueshme. Por nëse Evropa tashmë është e shqetësuar për tarifat tregtare, atëherë është e sigurt se nuk i intereson të ketë një rol akoma më të madh në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Konsensusi në SHBA për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë:

Kjo është analiza që bën për Formiche.net Alessandro Politi, drejtor i Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s. Sipas tij, nga njëra anë Komisioni i ri Evropian nuk është më i fuqishëm se ai i mëparshmi, dhe nga ana tjetër kriza politike në Beograd mund të sjellë surpriza.

Konsensusi në SHBA për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë:
Alessandro Politi /

Përfaqësuesi i ri special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë është danezi Peter Sorensen. Me çfarë situate do të përballet?

Ky dialog ka mbi një vit që ka hyrë në krizë, pas incidentit që ishte një nga më të rëndit në historinë e menaxhimit dhe stabilizimit të krizës së Kosovës. Për të gjetur një situatë më të rëndë, duhet të rikthehemi në vitin 2004, kur ndodhi i ashtuquajturi sulm ndaj një sërë pronash dhe monumentesh serbe. Ato ngjarje ishin shumë serioze, dhe për 20 vjet u përpoqëm t’i kapërcejmë. Por me një ndryshim.

Që është?

Kryeministri akual i Kosovës Albin Kurti, nuk ka ndërmend të bëjë më lojën e elitave të vjetra kosovare, të anashkaluara nga Gjykata Speciale e Hagës. Natyrisht, Prishtina këmbënguli në çështjen e rifitimit të sovranitetit të plotë mbi 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kjo krijoi një situatë të tensionuar, ku edhe sot kryetarët e komunave dhe zyrtarët e tjerë i kanë braktisur institucionet. Një situatë shumë delikate. Së dyti, është interesante të analizohet vështirësia e përkohshme e qeverisë serbe përballë protestave masive të brendshme.

I referoheni dorëheqjes së kryeministrit serb pas protestave në rrugë?

Tani për tani, qeveria ka shpëtuar duke e shkarkuar kryeministrin, siç edhe pritej. Megjithatë, situata mbetet dinamike. Ndaj unë shoh në horizont një fund të mundshëm të sezonit të gjatë në pushtet të Vuçiç, dhe në këtë pikë nuk e dimë se kush mund ta zëvendësojë atë.

Megjithatë, nuk do të habitesha nëse do të zëvendësohej nga një udhëheqës akoma më kokëfortë, dhe kjo do të çonte më pas në një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Prishtinën, që nuk do të normalizohen. Jam i vetëdijshëm se ky skenar, pasqyron problemin themelor të vendeve të Ballkanit, të cilat po presin prej më shumë se 20 vitesh anëtarësimin në BE, dhe nuk janë më të gatshëm të presin kështu.

Çfarë shkoi keq me Marrëveshjen e Ohrit?

Nga njëra anë, ne pamë një histori suksesi si ajo e Maqedonisë së Veriut. Por në të njëjtën kohë BE-ja u gjend përsëri e bllokuar nga një vend evropian, dhe kjo nuk është një shenjë e mirë. Nga ana tjetër, kryeqytetet e ndryshme evropiane kanë vazhduar ta zvarritin çështjen e anëtarësimit, duke e ditur mirë se këto vende, përveç ndoshta dy, nuk janë ende gati për hyrje. Po ashtu, duke e ditur mirë se edhe sot 5 vende nuk e njohin njërin prej tyre. Dhe ky është një kufizim shumë i madh për zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë.

Si mund (apo do) të ndikojë politika e re e jashtme amerikane në çdo zhvillim të ri midis Serbisë dhe Kosovës?

Në realitet, me gjithë ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë, kam frikë se politika amerikane ka ndërtuar fshehurazi një konsensus bipartiak për shkëmbimin e territoreve: pra, 4 komunat në veri i kalojnë serbëve dhe 3 komunat në luginën e Preshevës i kalojnë Kosovës. Vetëm më pas vjen edhe njohja e Kosovës nga Serbia. Megjithatë, nuk është e sigurt që pas shkëmbimit të territoreve, marrëdhëniet do të normalizohen vërtet: mund të ndodhë, por edhe jo.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha se normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe, është e vetmja mënyrë që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Si mund të arrihet kjo gjë?

Procesi i normalizimi shënoi një hap taktik përpara, kur Evropa kërcënoi seriozisht se do të reduktonte të gjitha ndihmat. Unë kam dyshime serioze nëse komisioni ri ka fuqinë politike për ta bërë këtë. Po ashtu, kam dyshime serioze nëse qeveritë e mëdha evropiane, 5 më të mëdhatë, kanë vërtet interesin, forcën politike dhe vullnetin për ta bërë këtë.

Dhe në çdo rast, edhe nëse do të shkurtoheshin plotësisht subvencionet, do të duhej kohë dhe këmbëngulje që të dyja qeveritë, në Beograd dhe Prishtinë, të vendosin përfundimisht për normalizimin e marrëdhënieve. Nga pikëpamja teknike, ardhja e presidencës së Trump na lejon të ndryshojmë letrat në tavolinën e lojës, dhe për këtë arsye hap perspektiva dhe mundësi që më parë ishin të paimagjinueshme.

Por nëse Evropa është e shqetësuar për tarifat, nuk ka luksin të dëshirojë të ketë një pozicion më energjik në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës. Edhe nëse Prishtina refuzon, një marrëveshje shkëmbimi territoresh në stilin amerikan dhe një normalizim të imponuar nga kërcënimi i tërheqjes së KFOR-it apo edhe vetëm të kontingjentit amerikan, mua nuk më duket i pamundur.

Pasi kërcënimi i SHBA-së do e ekspozonte qeverinë kosovare ndaj një kërcënimi hipotetik serb, i cili mbetet të verifikohet. Pra, e ritheksoj se ky është një komision edhe më i dobët se ai i mëparshmi, i cili thotë disa gjëra të sakta, por më pas duhet të shohim nëse do të ketë vullnet për t'i bërë ato.

Dhe kjo është një pikëpyetje e madhe, për të cilën spekulojnë natyrshëm të gjithë kryeqytetet dhe veçanërisht të gjithë ngatërrestarët rajonalë në Ballkan. Ata spekulojnë, sepse e dinë që me këtë presidencë amerikane ka disa surpriza (nuk dihet se ku). Dhe loja nuk përcaktohet plotësisht nga Bashkimi Evropian./Përgatiti Pamfleti

shkëmbimi i territoreve konsensusi në shba konflikti serbi-kosovë

Lini një Përgjigje