
Kryetari i PD, Lulzim Basha në një konferencë të jashtëzakonshme në selinë e PD, ka akuzuar mazhorancën se ka rikthyer sërish idenë për ngritjen e një komisioni monitorimi, i cili do të kontrollojë punën e SPAK-ut.
Ai shtoi se i gjithë plani është bërë në mënyrë tinzare, teksa shtoi se po bëhen pazare të fshehta për të filluar presionet e hapura institucionale kundër SPAK-u.
Ai theksoi se një gjë e tillë nuk do të lejohet nga PD-ja dhe se SPAK-u ka mbështetjen e plotë të demokratëve, për të vazhduar luftën ndaj korrupsionit.
"Kam dy çështje kryesore për të parashtruar. E para, ndodhemi para një përpjekje sa absurde aq edhe tinëzare për të ndërtuar struktura paralele. Me të njëjtin zell siç ndërtohen dhe financohen strukturat paralele në veri të Kosovës. Por është e pakuptueshme kur kjo ndodh në një vend i cili ka detyrime të qarta të veprojë, detyrime të cilat nuk po i zbaton, detyrime karshi qytetarëve të vet, detyrime karshi aleatëve të vet, detyrime ndaj të sotmes dhe të nesërmes së vendit, detyrime ndaj sigurisë kombëtare. Struktura e parë paralele që është paralajmëruar që në janar është një komision monitorimi për SPAK-un.
Ka ngritur sërish kokë kjo ide mbrëmjen apo ditën e djeshme dhe vazhdon të qarkullojë me kokëfortësi si një përpjekje absurd anti-kushteuese, për të vendosur nën kontroll politikë të vetmen instancë e cila duket se është pjesërisht jashtë kontrollit të qeverisë. E kanë barë në një mënyrë tinëzare, e kanë hedhur njëherë poshtë rogozit, e pastaj janë përpjekur ta zhbëjnë, është tërhequr lajmi nga disa portale, ka mbetur në disa të tjera. Dua të përsëris edhe një herë në mënyrë të qartë dhe të prerë që Partia Demokratike qëndron fuqimisht kundër çdo përpjekje të kësaj mazhorance, me çfarëdo lloj aleatësh të fshehur apo jo, në Pazar apo jo për të filluar presionet e hapura institucionale kundër SPAK-u", tha Basha.
Lini një Përgjigje