Komisioni Hetimor për sistemin TIMS ka caktuar 4 ekspertët që do asistojnë punën e komisionit.
Ekspertët janë Dritan Jahaj jurist, Vjosa Bodo Mujo juriste, Kreshnik Myftari pedagog dhe Henri Bici, avokat.
Mbledhja e parë e komisionit hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, nisi dhe u mbyll me përplasje midis kryetarit Ervin Salianji dhe nënkryetarit socialist Toni Gogu.
Gogu tha se ky komision duhet të qëndrojë në shinat e ligjit, duke refuzuar të marrë në konsideratë propozimin e demokratëve për të thirrur si dëshmitar, kreun në arrest shtëpie të Rithemelimit, Sali Berisha.
"Është në nderin e këtij komisioni dhe të integritetit tuaj që ne të qëndrojmë në shinat e ligjit. Planin e hetimit në zbatim të ligjit e propozojnë ekspertët. Natyrisht që edhe ne kemi të drejtë të propozojmë thirrje dëshmitarësh", tha Gogu.
Më tej, Gogu iu drejtua Salianjit, duke i thënë që të mos bëhet gjyqtar i Sali Berishës.
"Unë e kuptoj që juve në ëndrrën tuaj doni të bëheni gjyqtar i Berishës, mbase doni t'i jepni edhe pafajësi, por ky komision nuk e ka në veprimtari këtë gjë. Nuk është misioni ynë të nxjerrim nga mjedise kolegët tanë ku vuajnë masa që cakton drejtësia. Mos ta kthejmë këtë komision në qesharak", deklaroi Gogu.
Gjithashtu PS-ja hodhi poshtë thirrjen e Sali Berishës, i cili ndodhet në arrest shtëpie, si dëshmitar në këtë. Ishte vetë deputetja Blerina Gjylameti e cila propozoi që Berisha të thirrej si dëshmitar, ndërsa kryetari i Komisionit, Ervin Salianji e pranoi. Ndërsa ditën e sotme, Gjylameti ka hedhur poshtë propozimin e saj dhe ka deklaruar se e ka thënë me ironi.
Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Sistemin TIMS është caktuar që të zhvillohet të premten e 12 Prillit në orën 12:00.
Lini një Përgjigje