
Deputeti i mazhorancës, Fatmir Xhafaj, ka lëshuar sërish mesazhe të forta sa i takon reformës në drejtësi. Si majtas ashtu dhe djathtas reforma po sulmohet, mirëpo Xhafaj ka akuzuar kolegët e tij se nuk kanë guxim të flasin hapur se ku çalon kjo reforma. Sipas tij, SPAK ka dhënë sinjale se po shkon te të paprekshmit.
Nga ana tjetër ai ka dalë kundër ndryshimeve në ligjet e reformës, duke thënë se krerët e organeve të reja duan ndërhyje për orekset e tyre.
“Kam dëgjuar shpesh nga disa kolegë dhe këtej nga mazhoranca ca me zë dhe ca pa zë se disa gjëra nuk janë bërë mirë në zbatimin e reformës. Dakord, edhe mundet sepse gjë perfekte nuk ka. Ama nuk ka dëgjuar askënd të ketë kurajon publike dhe të thotë se çfarë nuk është bërë mirë dhe çfarë mund të bëhet mire. E pastaj ndodh që bëhen ndryshime si ato në 2019-2021që kanë krijuar probleme të reja me sistemin dhe ende po vazhdojmë po kërkojmë prej dy vitesh ndryshime në korpusin e ligjeve të reformës kryesisht të lobuar nga drejtuesit aktual të institucioneve që synojnë orekset e tyre për më shumë pushtet brenda sistemit”, tha Xhafaj.
Xhafaj u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës së vulës që të bashkohen dhe të japin kontributin e tyre në drejtësinë e re përtej paragjykimeve që ata mund të kenë.
“Në këtë proces është shumë të kesh pritshmëri nga opozita parlamentare. Një pjesë e kësaj, shumica brenda kësaj pakice pasi e bojkotoi reformën gjatë gjithë këtyre viteve vazhdon ta sulmojë egër ta denigrojë dhe demotivojë me lidershipin e saj që i friket përballja me drejtësinë.
Keqardhja ime shumë e sinqertë është për pakicën brenda kësaj pakice parlamentare që për hir të së vërtetës ka disa kapacitete brenda saj për të qenë një opozitë konstruktive, kontribuuese dhe aktive në këtë proces e gjendur në efektin publik të luftës me pjesën tjetër shumë agresive, por dhe viktimë dhe paranojë e drejtësisë së kapur është e tejet e ç’fokusuar dhe e përfshirë nga një retorikë boshe retorikash pa bosht”, tha ai.
Sipas tij, e vërteta e madhe është se me problematikat që kemi ne sot me sistemin e drejtësisë nuk lidhen aq më ligjet në vetvete, por me zbatimin qasjen e politikës ndaj tyre dhe përgjegjësitë e të gjithë aktorëve dhe faktorëve që përfshihen në proces.
Lini një Përgjigje