Ndaj dhe Shqipëria nuk është bërë dot një vend i lirë, por në të gjitha raportet konsiderohet vend hibrid, ku gazetarët e mediat janë nën presion të vazhdueshëm nga pushteti...
Një “organizëm” i krijuar si rëndom në fshatin tonë të madh, nga “personalitete të mediave” që nuk shkruajnë kurrë, është kthyer në një çekan për tu bërë nder hajdutëve në pushtet, duke ligjëruar çensurën.
Një i ashtuquajturi këshill i Aleancës për Media etike, ka marrë një vendim apriori dhe i kërkon Pamfletit, të heqë një shkrim nga gazeta, a thua se është divani i censurës së ajatollahëve të Iranit.
Në këtë këshill ku marrin pjesë profesorë të Universitetit të Tiranës si Mark Marku, avokatë të njohur si Dorian Matlia, apo gazetare si Klodiana Kapo, është vendosur që gazeta Pamfleti të heqë një shkrim, në të cilin akuzohet një zyrtar i dënuar, se po bën presion në fushatën e 14 majit dhe po shkelet rregulli i fushatës...
Gjëja më normale, që ndodh në çdo vend të botës, kur një person, subjekt, apo ent shtetëror, kur reagon ndaj një shkrimi nga media të caktuara, është që të kërkojë të japë reagimin e tij në lidhje me publikimin. Të sqarojë për publikun, opinionin e tij në lidhje me argumentet apo faktet e shkruara në artikull. E kështu, është publiku që në mënyrë të lirë e gjykon se kush ka të drejtë.
Pasi media nuk është gjykatë, por një tryezë ku shpërfaq mendime dhe qëndrime, sa më të plota të jenë ato, aq më lehtë publiku, pra lexuesit krijojnë një përshtypje, e i takon vetëm publikut e askujt tjetër që të gjykojë se kush ka të drejtë. Ky është funksioni i medias, që kur është krijuar fjala.
Por ç’ndodh te ne? Ky këshill etike, pasi ka marrë ankesën e një zyrtari të dënuar me vendim gjykate, kërkon nga Pamfleti të heqë shkrimin, pasi sipas zonjës dhe zotërinjve të këshillit është shkelur etika. Heqja e shkrimit ka një synim të qartë, që të hiqet si provë në rrjet, pra të mos ekzistojë një opinion, i cili ngrihet nga një shqetësim publik. Me një fjalë, ky këshill rekomandon censurën si zgjidhje, ndërkohë që thjesht mund të bënte të kundërtën. Të kërkonte përballjen e qëndrimit të palëve dhe kaq.
Në Shqipëri nuk do të funksionojnë kurrë këta këshilla gjoja vetërregullues mediatik, sepse qëllimi i krijimit është jo mbrojtja e mediave dhe gazetarëve, por sulmi i tyre. Ndaj dhe Shqipëria nuk është bërë dot një vend i lirë, por në të gjitha raportet konsiderohet vend hibrid, ku gazetarët e mediat janë nën presion të vazhdueshëm nga pushteti. Fatkeqësisht dhe nga ata që konsiderohen “kolegë”, por që janë më shumë pushtetarë mediatikë. Më poshtë po japim të plotë shkrimin e Pamfletit dhe vendimin e këshillit, që publiku ta kuptojë më qartë se përse bëhet fjalë.
Shkrimi i 2 Prillit 2023 te Pamfleti
Edi Rama, lidhi “qentë”!
Edhe në këtë fushatë, Edi Rama ka nxjerrë nga “kolibja” e ka vërsulur për vota “qentë” ish-drejtorë, të dënuar me burg për korrupsion e vjedhje pronash me falsifikime dokumentesh.
Një prej këtyre “qenve” është burgaxhiu Egon Velaj, ish-drejtor i ALUIZNI-it e ish-Drejtor i Paraburgimit të Vlorës, të cilin Babloku e ka “lëshuar” në qytetin e Vlorës, për të paguar e kërcënuar qytetarët, që të votojnë kandidatin Ermal Dredha, vëllain e dhëndrit të Gramoz Ruçit dhe sekserin e Sinan Idrizit në Dubai e Abu Dhabi kur ishte Ambasador.
Egon Velaj nuk tremb askënd, aq më tepër mediat, por bezdis me “lehjet” e tij, duke dërguar mesazhe orë e çast; dhe gjersa “leh” për llogari të PS e në emër të Bablokut, po i themi kryetarit të PS: - Edi Rama, lidhi “qentë”!
Ndoshta Babloku bën sikur nuk e di, sepse ka shumë “qenër” të tillë hajdutë, vrasës e burgaxhinj, që i ka lëshuar nga “zinxhirët” edhe në këtë fushatë elektorale, por po i kujtojmë, se cili është Egon Velaj, i zgjedhur i PS dhe pjesë e shtabit të kandidatit Ermal Dredha.
Bablok! Egon Velaj është ish-Drejtori i ALUZNI-t të Vlorës, i cili është dënuar 6 muaj burg, me Vendim nr. 425, datë 23.10.2019 të Gjykatës Vlorë; lënë në fuqi me Vendim nr. 183, datë 15.10.2020 të Gjykatës së Apelit dhe me Vendim nr. 3, datë 8.6.2021 të Gjykatës së Lartë.
Ky nuk është dënuar për rrahje apo shpifje, por si drejtor për grabitje pronash shteti e private, me falsifikime dokumentesh zyrtare si tapi, harta kadastrale, sipërfaqe tokash, planimetri banesash e vendime gjyqësore, kur ishte Drejtor i ALUIZNI-t të Qarkut-Vlorë.
Për t’i “freskuar” kujtesën Bablokut, po i kujtojmë se “qeni” i tij Egon Velaj, është ai që ministresha Etilda Gjonaj më 18 tetor 2019 e emëroi Drejtor të Paraburgimit të Vlorës, megjithëse atë ditë ishte dhënë pretenca dhe u dënua 6 muaj burg.
Madje më 24 tetor 2019, në emisionin “Opinion”, Babloku tha: - “Egon Velaj ka mashtruar PS për dënimin e tij, llumra të tillë nuk kanë vend në PS, dhe as PS nuk do ketë lidhje me ta”.
Por ja që PS, po e përdor si “langua gjahu” për vota dhe si “qen” leh kundër mediave, prandaj Bablok, lidhe Egonin e Vlorës!
Vendimi i Këshillit për media etike
Bordi i Aleancës për Media Etike pasi shqyrtoi ankesën, KONSTATOI:
1. Gjuha e përdorur në artikull është jo etike, duke përdorur epitete të pahijshme për ta fyer z. Velaj.
2. Artikulli nuk ka si qëllim të informojë publikun, por të sulmojë personazhin.
3. Artikulli ka shkelje etike pasi cënon reputacionin e individit dhe vihet re se ky është edhe qëllimi kryesor në artikull dhe jo ai i informimit të publikut.
Mbështetur në këto arsyetime, Bordi,
VENDOSI
T’i rekomandojë medias online, Pamfleti.net të fshijë artikullin nga faqja e webit.
Anëtarët e pranishëm:
Mark Marku
Dorian Matlija
Klodiana Kapo
Lorin Kadiu
Votuan Pro: Mark Marku, Dorian Matlija, Klodiana Kapo, Lorin Kadiu
Votuan Kundër: Asnjë
Lini një Përgjigje