TAGS-AT E JAVËS

Editorial22 Qershor 2023, 17:02

Rama, një mytesarif i Erdogan: Roli i Sulltanit në sulmin ndaj muxhahidinëve të Manzës

Shkruar nga Pamfleti
Rama, një mytesarif i Erdogan: Roli i Sulltanit në sulmin ndaj
Edi Rama dhe Rexhep Taip Erdogan

E frikshme, në zyrën iraniane të ambasadës turke, ka dy muaj që zhvillohen takime e bisedime që epilogun e kanë me operacionin e Manzës…

Sulmi i policisë në kampin e Manzës nuk ndodhi brenda ditës, apo brenda disa ditëve. Ai kishte kohë që piqej e përgatitej, e që vetë të shkretit opozitarë të regjimit të tmerrshëm të mullahëve në Teheran e kishin kuptuar.

Është folur shumë këto ditë për rolin e Kinës në Gjirin Persik, ndryshimin e politikës amerikane; por pak ose aspak për rolin e sulltanit të Ankarasë në meselenë dramatike të muxhahidinëve në parkun e Manzës.

Thirrjet e dëshpëruara të njerëzve që kanë një jetë që shtypen nga një regjim gjakatar, e që pasqyrohen në fotot e shpërndara nga porta e hekurt e Manzës, janë një shfryrje për fatin e tyre të keq, mbi të cilin luajtën si fuqitë e mëdha, ashtu edhe ato rajonale, por që përfituan edhe vende si Shqipëria.

Gjithçka në këtë lojë ka marrë hov në prillin e këtij viti, kur Turqia mori përsipër me një vendim politik, të pranojë hapjen e një zyrë diplomatike të Iranit në ambasadën e saj në Tiranë.

Një veprim flagrant, që në kushte normale do të duhej të kishte një notë proteste dhe ndëshkim të Turqisë nga qeveria shqiptare. Pasi Tirana zyrtare kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, dhe kishte dëbuar të gjithë diplomatët. Të cilët Turqia, pasi i largoi Shqipëria nga dera, i futi nga dritarja.

Si e bëri Erdogan këtë veprim? Që së paku është një provokacion diplomatik i nivelit të lartë? E bëri në mënyrë demonstrative dhe Edi Rama nuk bëri ‘as gëk as mëk’. Sepse siç dihet është i kapur nga Sulltani në një mijë e një fije.

Natyrisht që kemi një ndryshim politike të madhe edhe nga SHBA, edhe nga BE ndaj muxhahidinëve; që i lanë të shkretët me gisht në gojë si kurdët. Por në këtë rast, Erdogan i është imponuar Edi Ramës me një veprim arrogant diplomatik, që përbën një precedent të pa ndodhur ndonjëherë. Sepse nuk bëhet fjalë që Irani ka autorizuar ambasadën e Turqisë në Tiranë që të marrë përsipër aktet diplomatike e konsullore të Teheranit. Pasi këtë e bëjnë shumë shtete. Por Irani ka hapur ambasadë ilegale në Tiranë, pa marrë një akreditim. E diplomatët e Iranit, prej prillit e sot veprojnë lirshëm, duke kryer veprime me imunitet diplomatik, duke pasur kartën e diplomatit të Turqisë. Që do të thotë se Turqia është kthyer nga një vend vëlla, në një vend vëlla me armikun e Shqipërisë.

E pikërisht në zyrën iraniane në ambasadën turke, ka dy muaj që zhvillohen takime e bisedime që epilogun e kanë me operacionin e Manzës. Edi Rama që flet për dinjitet e respekt të Shqipërisë, nuk është gjë tjetër veçse një mytesarif i Sulltanit të Ankarasë./ Pamfleti

edi rama mytesarif sulltani muxhahidinët e manzës

Lini një Përgjigje