TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Qershor 2023, 10:08

Kujdes Bablok, edhe Hashimi e hëngri nga Albini!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Kujdes Bablok, edhe Hashimi e hëngri nga Albini!
Thaçi, Kurti dhe Rama

Në horizont shfaqen vështirësi për t’i ndarë hesapet lehtë në këtë pështjellim nervash e interesash, pasi dihet, kur të bashkon inati dhe të ngatërron dashuria, bëhet nami në vëllazëri...

Albin Kurtin dhe Edi Ramën aq sa i bashkon kundërshtia, i largon afërsia.

Njëri i ka ngulur këmbët si Anteu, në livadhin e patriotizmit në veri të Kosovës; tjetri, në lëndinën e nacionalizmit, ka marrë vrapin si dash që kërkon ku të kruajë brirët.

Brirët do i kruajnë mes vetes.

Sa kohë janë afër, ndeshen kokë më kokë; sa janë larg, i bien murit me kokë. Po të ishte e mundur të fitojë kokëfortësia mbi paqen dhe investimet amerikane, as Hashim Thaçi nuk do të ishte atje ku është, as Albini këtu, e as Babloku sa aty e sa këtu.

Vëmendja e ndërkombëtarëve për asociacionin e veriut të Kosovës, ka zbehur analizën serioze në këtë cep të Ballkanit, ku dy luftërat botërore kanë nisur startin e historia hiperbolizon heronjtë.

Po ç’po ndodh aman?

Asgjë e re. Po zihen vëllezërit e gjithkush po qeshet!

Babloku me të dashurit e Albinit; Sali Berishën, Ilir Metën, Lefter Kokën, Fatmir Mediun, Vangjush Dakon e kush i ka zënë rrugën, kurse Albini me të dashurit e Bablokut; Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe këdo nuk i ka hapur udhën.

Pra, që kur u fundos Hashimi, Babloku ka frikë nga Albini.

Ju, edhe pse keni të drejtë të mendoni se Babloku është psikopat, nuk mund të argumentoni se është budalla.

Nuk mund t’i thuash tjetrit që ka bërë pasuri, je trutharë e do humbësh. Ja, a ju kujtohet kur Albini nuk ishte kaq i zgjuar e kaq i pasur?

Kokëbosh ngjante në fakt kur mblidhte fitila dinamiti e mbushte shishe me benzinë të trembë Presidentin e Republikës, burrë shteti i mijëra betejave. Aq e dinte ky, se fuqia e të fortëve të Ballkanit gjithmonë shkarkohet në një pike, tek interesat ekonomike.

Për ca miliarda dollarë pazare mes rusëve, Bablokut dhe Aleksandër Vuçiç, gaboi e ngriti zërin edhe Hashim Thaçi dikur, por ç’e gjeti?

Fillimisht e kërcënoi me padi në gjykatë Babloku i madh, e me vonë ja theu qafën Albini i vockël.

Po si do të përfundoi beteja, kur asnjëri nuk ha pykë?!

Që ju ka plasur delli i marrisë të dyve, kjo dihet. Ushtarët rrinë tek dera, derisa të zgjidhet ngatërresa.

Në horizont shfaqen vështirësi për t’i ndarë hesapet lehtë në këtë pështjellim nervash e interesash, pasi dihet, kur të bashkon inati dhe të ngatërron dashuria, bëhet nami në vëllazëri.

Me fjalë më të thjeshta duam të themi, avash Bablok, edhe Hashimi e hëngri nga Albini!/Pamfleti

albin kurti hashim thaçi babloku përplasja

Lini një Përgjigje

Editorial