TAGS-AT E JAVËS

Editorial15 Qershor 2023, 10:01

Kush është partner i SHBA dhe kush i vështirë

Shkruar nga Fadil Lepaja
Kush është partner i SHBA dhe kush i vështirë
Aleksandar Vuçiç dhe Albin Kurti

Kryeministri Rama e zbrazi zemërimin mbi partnerin e vështirë kosovar të SHBA, ndërkohë që e vështira në fakt është Serbia. Synimi i SHBA është që edhe Serbia të bëhet partnere, qoftë edhe e vështirë. Ka rol këtu Edi, apo do të marr një rol me çdo kusht? 

Situata në veri të Kosovës gati ishte normalizuar plotësisht. Ishte bërë pothuajse si në Serbi. Pastaj, ndryshoi gjithçka. Ky sukses i arritur me ndërmjetësimin ndërkombëtar, nuk përballonte dot provokime të tilla si flamujt e Kosovës në ndërtesat zyrtare të komunave të saj. Duhet të jesh partner i vështirë dhe kokëfortë për të rrënuar gjithçka që është arritur për dhjetë vite negociata të vështira. Ata që e arritën këtë marrëveshje ishin partnerë të lehtë. U pajtuan për një koekzistencë paqësore të dy shteteve, në një territor. Po të “dhezte” edhe Ballkani i Hapur, gjithçka do të shkonte vaj. Nuk ‘dhezi’, ende...

Mistiku Sutguru, në një bisedë të tij, lidhur me bashkëpunëtorët e vështirë na mëson se vetëm në parajsë nuk i gjen. Gjithashtu, një tjetër i mençur, lidhur me të kuptuarit e fajit thotë se “po nuk e takove një person (të vështirë) që nuk t’i falë gabimet, nuk do ta kuptosh kurrë se ke gabuar”. Pra, të jesh partner i vështirë duket se është e zakonshme, legale dhe legjitime madje.

Por, të shohim hallin tonë.

U prish normalitet ku Kosova vazhdon të jetë pjesë e kushtetutës së Serbisë; ku ministrat serb të qeverisë së Kosovës raportojnë te presidenti  i Serbisë; ku kryetarë komunash të zgjedhur sipas ligjeve të Kosovës të cilët si pyet kush, u asistojnë strukturave paralele në hije të emëruar nga Qeveria e Serbisë; e legjitimojnë kështu dhe e mbajnë gjallë prezencën institucionale të Serbisë në Veri.

Përmes një asociacioni të dakordësuar më 2013, u bë përpjekje të legalizohet ky dualitet institucional në Kosovë. Me një fjalë, gjendja në veri ishte krejtësisht normale sikurse në çdo komunë tjetër të Serbisë, madje këtu kishte më shumë flamuj, statuja mbretërish mesjetarë dhe simbole klero-nacionaliste serbe se sa kudo tjetër në Serbi.

I vetmi flamur që nuk ka valëvitur aty ka qenë flamuri i Kosovës. Prandaj është e përjetuar si provokim vendosja e flamujve të Kosovës në ndërtesa të komunave dhe ky “provokim”  i çoi serbët lokalë në kryengritje, të cilën ata e quajtën protestë paqësore. Se sa ishte paqësore e pamë kur u numëruan të plagosurit në të dyja anët.

Këtu hyn në skenë fajtori për gjithçka, Kryeministri i Kosovës dhe ministrat e tij.

Përfaqësuesi special Escobar e cilësoi Kurtin si partner të SHBA, por si një partner të vështirë. Se kush është partner i lehtë nuk u përmend edhe pse në Kosovë ka plot pretendues të tillë, duke filluar nga ish kryeministrat, presidentët, ministrat, secili më i kollajshëm se tjetri. Por, e kanë vetëm një ‘behane’: janë të gjithë në opozitë. Disa nuk janë më as opozitë.

Për shembull, më i lehtë për bashkëpunim se ish presidenti, nuk mund të gjeje. Askush deri sot nuk ndërtoi me aq zell gjykatat dhe nuk shkoi “duke kënduar” në burg. Askush nuk ishte aq i përkushtuar në luftën e krimeve të luftës, aq sa ta bëjë vetë “sefte”  gjykatën e themeluar me kundërshtime të jashtëzakonshme të opozitës së atëhershme, e cila tash është në pozitë.

Në fakt, Sutguru thotë ndryshe. “Nëse po kërkoni të punoni me njerëz të përsosur”, mos i kërkoni në tokë. Në tokë, duhet punuar me të gjithë, e në situata konfliktesh, luftërash të papërfunduara, të pa mbyllura ende, ke të bësh kryesisht me bashkëpunëtorë të vështirë. Por, tema jonë e sotme nuk është menaxhimi i luftërave, por evitimi i tyre, sidomos duke e kthyer armikun në një mik. Duke e bërë Serbinë mike, por as Serbia nuk po e bën të lehtë.

Por Escobar, nuk ja do të keqen Kosovës aq sa të dëgjojë të lehtët. Ai e ka një mision shumë më të gjerë sesa Kosova. Ajo që duhet të arrihet është të krijohen kushtet për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE deri më 2030, gjithashtu të evitohet me çdo kusht shpërthimi i luftës në rajon, në kohën kur NATO dhe perëndimi po e mbështesin plotësisht shtetin dhe popullin e Ukrainës.

Këtu vijmë te pika e vështirë. Përderisa Serbia thellësisht e lidhur me Rusinë, shpirtërisht, politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, nuk është se dëshiron miqësinë, se po e lut perëndimin, perëndimi ka nevojë për Serbinë, pa të cilën e ka të vështirë ta ndalojë shpërthimin e konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe sërish në Kosovë.

Këtë mund ta bëjë vetëm duke e përfshirë, duke e joshur Serbinë, duke i bindur qytetarë dhe zyrtarë serb se i përkasin Evropës, se këtu e tutje vetëm SHBA dhe BE munden të garantojnë lirinë dhe pavarësinë e tyre, ndërkohë që në të gjitha anët janë të rrethuar me shtete të BE dhe NATO-s.

Natyrisht, ndërkohë që mbështetja e SHBA për pavarësinë Kosovës mbetet e plotë, orientimin e tyre evropian dhe marrëdhënien e mirë me SHBA serbët duan ta kushtëzojnë pikërisht me Kosovën. Në krejt këtë situatë Kryeministri Rama e zbrazi zemërimin mbi partnerin e vështirë kosovar të SHBA, ndërkohë që e vështira në fakt është Serbia. Synimi i SHBA është që edhe Serbia të bëhet partnere, qoftë edhe e vështirë. Ka rol këtu Edi, apo do të marr një rol me çdo kusht? 

Escobar, e di se për të pasur sukses në këtë mision që duket i pamundur, do t’i duhet ta zgjidhë shumë shpejtë këtë ekuacion, pa e humbur asnjërën palë. Escobar është një diplomat me përvojë dhe kjo krizë (e zgjidhur) mund të jetë kurora e karrierës së tij diplomatike./Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

partneri i vështirë i shba vuçiç kurti edi rama

Lini një Përgjigje

Editorial