TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Qershor 2023, 09:51

Hileja e dyfishtë e Edi Ramës me Albin Kurtin

Shkruar nga Pamfleti
Hileja e dyfishtë e Edi Ramës me Albin Kurtin
Edi Rama dhe Albin Kurti

Po nëse Albin Kurti i mbijeton kësaj situate, ku do të shkojë Edi Rama?

Edi Rama ka marrë një vendim tejet të vrazhdë përballë Kosovës. Traditën që e themeloi vetë në vitin 2013, edhe pse jo ndonjë zhvillim thelbësor, por më shumë formal, flasim për mbledhjet e përbashkëta të qeverive, e ka prishur për herë të parë në mënyrë të njëanshme.

Nuk e kishte bërë asnjëherë Edi Rama këtë gjë, edhe kur ka qenë ‘thikë e brisk’ me Isa Mustafën apo me Ramush Haradinajn.

Mbledhjet e përbashkëta përgjithësisht janë zhvilluar në atmosferë shtrëngimi dhëmbësh për shkak të megallomanisë së Edi Ramës. Por asnjëherë nuk ka pasur një akt të tillë flagrant, si kjo që ka ndërmarrë sot kryeministri i Shqipërisë.

E pse e anuloi mbledhjen e përbashkët të qeverive? Kur krejt thjesht mund të takohen, të flasë secili atë që mendon, e ndërkohë edhe të ketë projekte për të zbutur sadopak situatën e krijuar. Por Edi Rama e ka marrë këtë vendim në mënyrë flagrante, me synim të caktuar për të dëmtuar Albin Kurtin, qeverinë e Kosovës, mazhorancën qeverisëse në Kosovë, e si rrjedhim pozitën e Kosovës në tërësi.

E këtë Rama e bën jo vetëm në mënyrë të qartë e flagrante, por duke krijuar një precedent të paparë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Një precedent që është një plagë dhe që vështirë se do të mbyllet aq kollaj.

Kjo që bëri Rama, sipas të gjitha gjasave do të provokojë një reagim të ashpër të të gjithë atyre që janë me qeverinë e Kosovës, por edhe nga mediat dhe qytetarët e angazhuar.

Rama e ka synim ta lërë Albin Kurtin pa asnjë partner, në momentin më të vështirë të tij, e me këtë synim shpreson që ta rrëzojë edhe politikisht.

Por, ta zëmë se Rama e mendon një gjë të tillë, po a mundet një qeveri e Shqipërisë ta izolojë Kosovën?

Në vitin 1991, Ramiz Alia dhe Ibrahim Rugova koordinoheshin ngushtësisht, edhe pse ishin armiq politik me njëri-tjetrin. Parlamenti i Shqipërisë, qeveria, por edhe Presidenti i atëhershëm Ramiz Alia merrnin hapur dhe fshehtas, ato vendime që kërkonte Kosova, edhe pse nuk ishte shtet por një organizëm politik, LDK e Rugovës.

Po nëse Albin Kurti i mbijeton kësaj situate, ku do të shkojë Edi Rama?

Nuk do të shkojë askund por plaga që ka hapur në relacionet Tiranë- Prishtinë është e madhe.

Nga ana tjetër, përse Edi Rama ka bërë një draft për Asocacionin, kur vetë e thotë se Albin Kurti do që këtë pjesë të marrëveshjes së Ohrit ta implementojë në fund e jo në fillim.

Kush ja jep Edi Ramës këtë tagër për të propozuar një draft, që është kundër planit strategjik të Kosovës dhe afër atij të Serbisë.

Sepse Edi Rama, përveç sulmit ndaj Kurtit, po bën një akt politik të qartë për ta bërë fakt të kryer ‘libanizimin’ e veriut të Kosovës. E këtë nuk e bën me asnjë vendim protokollar të Parlamentit të Shqipëtisë, pasi sipas të gjitha gjasave se merr dot se është një turp, por thjesht me veprime të tilla të fshehta, ku askush nuk e di ç’përmban drafti. Të cilin nuk e ka konsultuar paraprakisht as me Albin Kurtin. / Pamfleti   

edi rama albin kurti hileja e dyfishtë

Lini një Përgjigje

Editorial