TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Qershor 2023, 11:57

FBI i ka hetuar të gjithë; nga oligarkët e deri tek milionerët 20 vjeçarë?!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

FBI i ka hetuar të gjithë; nga oligarkët e deri tek
FBI i ka hetuar të gjithë; nga oligarkët e deri tek milionerët 20 vjeçarë?!

Me Lupën e informacionit për kështjellat magjike të pasurive të vëllait të Bablokut dhe djalit të non-gratës, nëpër pyllin e dendur të transaksioneve përmes një banke, ti ende nuk gjen as çelësin e kasafortës, megjithëse edhe fshatarët e njohin tundimin drejt mëkatit të çdo pasaniku që nuk ngopet kurrë me para...

10 më të pasurit e trojeve shqiptare, por edhe shumë 20 vjeçarë milionerë, në logjikën e biznesit, me kaq pak kohë, moshë, prodhim dhe treg, nisur nga pika zero, ose janë fenomeni i gjallë i kësaj Toke që po studiohen, ose varrezë e parave të mafies në 30 vjet që po hetohen...

Se ende Globi deri sot, nuk njeh shembuj pasurimi si këtu.

Në paradhomë të fabulës, kur shohim ekranet e televizioneve të parave të pista që kohët e fundit i promovojnë sukseset e miliarderëve, apo ambasadoren amerikane Yuri Kim tek shkrep blitze në bizneset e tyre, të vjen të pyesësh; more a janë shpërndarë bletët e Botës përmbi lulet e fshatit tonë, apo “almanakët” e çudirave ekonomike janë bërë ulëse në piknikun e FBI-së dhe shërbimeve tjera, deri tek milionerët analfabetë 20 vjeçar?!

Në token tonë të habitatit, edhe kur gjërat shihen me sy, duhet Lupë.

Me Lupën e informacionit për kështjellat magjike të pasurive të vëllait të Bablokut dhe djalit të non-gratës, nëpër pyllin e dendur të transaksioneve përmes një banke, ti ende nuk gjen as çelësin e kasafortës, megjithëse edhe fshatarët e njohin tundimin drejt mëkatit të çdo pasaniku që nuk ngopet kurrë me para. Dikush tregon përralla, si shkoi emigrant në Austri e për pak kohë erdhi me miliona në xhep, dikush tjetër në Francë, Amerikë, apo kudo patën fatin këta refugjatë të bënin historinë, por fitimet i shtonin vetëm këtu.

Transkriptimet edhe tek dyshimet e dyshimta, lëshojnë ujë po t’i shtrydhësh.

Mbi rrënjët e korrupsionit, të tërë e shohim se ka lëndina plot me lule, të ujitura e mirëmbajtura nga mafia qeveritare, e rreth tyre fshatarë të keq ushqyer që po hapën gojën, i çojnë në ferr të ligjit.

Se po, drejtësia jonë ka edhe Ferrin, edhe Parajsën.

SPAK-u luan shah me lëvizje të ngadalta, duke hartuar strategjinë e fatit të zi dhe avantazhin e bardhë, njëlloj si Babloku, mëkatari i vobektë në Ferr, i famshmi në Parajsë.

Skema me ushtar e mbretër, e marrë në kujdestari nga FBI prej disa kohësh, e sofistikuar normalisht, po eksploron nëpër rrugët e njohura të krimit, por ende të panjohura për shpjegueshmërinë e gjahut.

Në botën e fantazisë, në vendet plot varfëri dhe impotencë ligjore, pasuria dhe krimi janë një trup, një shpirt, një hije.

Ecin bashkë, ndjejnë aromat e zhurmat njëlloj, por kur bëjnë akrobacira, dëmtohen pjesë-pjesë.

Një gisht dore i dëmtuar nuk është humbje e dorës.

Në këtë përrallë, super pasaniku i këtij trualli të thatë, por edhe milionerët, fëmijët e kupolës, nuk mund të mos jenë një pjesë trupi që dhëmb nëse dëmtohen, ndaj thjeshtë pyesim: A ndjen gjë Babloku, a ka hetuar FBI nga oligarkët deri tek milionerët 20 vjeçar?!/Pamfleti

fbi hetimi oligarkët milionerë 20 vjeçarë

Lini një Përgjigje