Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij 60 minuta përpara emigrantëve shqiptarë në pallatin e sportit "Galatsi" në Athinë i dha katër mesazhe të forta fqinjëve tanë.
Ai e nisi fjalimin e tij me një kërcënim duke i shpehur se tani shqiptarët nuk janë më “shërbëtorët” në Greqi siç kanë qenë por të “zotët e barabartë të kësaj shtëpie”.
Shqiptarët nuk janë më shërbëtorët e dikurshëm
Kryeministri Rama e hapi takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë duke thënë se ka ardhur të takohet me zotët e barabartë të shtëpisë në Greqi dhe jo me shërbëtorët e dikurshëm të grekëve.
"Ndonjë tha se unë nuk duhej të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm. Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlershëm në europën demokratike. Ju shqiptaret e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar ku qëndron prej 25 shekujsh djepi i filozofisë dhe demokracisë me të cilin na lidh jo vetëm fqinjësia", u shpreh ai.
Riprociteti: Na respektoni, t’ju respektojmë
Rama i dërgoi një mesazh Greqisë duke thënë se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim përveç respektit reciprok.
"Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, vec respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombasit që jetojnë në të dy shtetet tona marrëdhënieve reciproke të miqësisë e fqinjësisë së mirë.
Jo vetëm kaq Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik, qoftë për cështjet për tu zgjidhur mes nesh qoftë sfidash të mëdha të kësaj epoke të re, mundësish por dhe kërcënimesh për Ballkanin, Europën e botën demokratike. I shohim si arsye mallore për tu afruar më shumë e njohur më mirë.
Për të mos i bërë bisht asnjë nevoje për komunikim e gjetur zgjidhje të arsyeshme për të dy palët. Duke ushqyer pa ndërprerje besimin dhe forcuar lidhjet me njëri tjetrin. Ne besojmë se kompleksiteti i marrëdhënieve tona në këtë kohë sfidash lokale dhe globale nuk mund të jetë një shtysë për tu mbytur në çdo lugë uji që sjell përditshmëria e politikës në oborrin e bashkëjetesës sonë.
Jo! Ky kompleksitet duhet të jetë një nxitje e madhe që grekët e shqiptarët të binden përfundimisht dhe reciprokisht që fatet tona janë të pandashme. Ata që i përfaqësojnë të binden se nuk mund ti gjejnë përgjgijet për të ardhmen tek e shkuara port ek e sotmja e fateve të lidhura të grekëve të Shqipërisë me shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Greqisë me grekët e Greqisë", tha kreu i qeverisë.
Shfuqizimi i ligjit të luftës nga Greqia
Kryeministri nga Athina i ka kërkuar Greqisë shfuqizimin e ligjit të luftës. Ai u shpreh se ligji i luftës është një absurditet që duhet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë.
“Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatit e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron.Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhoja pasojat e këtij ligji mbeten në fuqi sot e gjithë ditën.
Megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Si ka mundësi që dy vende janë bashkë në NATO, kanë nënshkruar traktatin e miqësisë të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë?!”, tha Rama.
Flamuri i bardhë për Mitsotakis
Kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij të mbajtur para shqiptarëve në Athinë, dha edhe një mesazh për homologun e tij Kyriakos Mitsotakis.
Duke cituar Naim Frashërin, Rama tha se dëshira e vërtetë e shqiptarëve është që të jetojnë në paqe dhe në harmoni me fqinjët e tyre.
“Dëshiroj t’i lë një pusullë mikut tim, kryeministrit Mitsotakis. I dashur Kyriakos në vitin 1886 poeti ynë kombëtar Naim Frashëri shkruajti në greqisht vjershën e tij, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. Duam me të gjithë fqinjët, sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, në vëllazëri, me rend dhe paqe të jetojmë. Le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi, mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar është koha e mirëqeniës, është koha e lirisë. Shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”, tha kryeministri Rama./ Pamfleti
Lini një Përgjigje