
Kur je në pushtet, ti ke interes që pala që është në opozitë të jetë e përfshirë në këto procese...
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ka deklaruar se partitë duhet të ulen e të krijojnë një gjuhë të përbashkët.
Duke folur rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, Bushati tha se krahë të ndryshëm të politikës duhet të bëjnë hapa pas për të arritur një bashkëpunim mes tyre.
Ai tha se në tryezë me BE-në çdo gjë negociohet e nëse një vend nuk arrin të negociojë mes vetes për interesa kombëtare, kjo tregon një lloj papjekurie politike në sytë e vendeve anëtare të BE-së.
“Kam një ndjesi shumë të keqe që u rikthye edhe njëherë në Parlament çështja e rregullores dhe çështja e dënimeve. Mund të hapni arkivat, unë kam qenë pjesë për reformën parlamentare, kur ajo ishte një nga 3 kushtet e famshme për të marrë statusin e vendit kandidat. BE-ja ta krijon si mundësi, si kusht, që ti të fillosh të përmirësosh bashkëjetesën me fqinjin, se ne jemi të gjithë shqiptare. Në momentin që ka një klimë tjetër politike më bashkëpunuese ta garantojë se ne shqiptarët jemi rracë e zgjuar”, tha Bushati.
I pyetur se kush do duhet të bënte një hap pas ai tha se gjithmonë mundësinë për t’u tërhequr e ka mazhoranca. Sipas tij, nuk duhet të jemi më peng i së shkuarës, teksa ka komentuar dhe raportet e dikurshme të PS me Berishën.
“Gjërat në Shqipëri kanë shkuar shumë larg. Për hapin pas ka gjithmonë mundësi se kush ta bëjë. Mund ta bëjë mazhoranca. Ne kur ishim në opozitë, dilnim me plane me 3 pika me 10 pika. Nuk është se Berisha ishte demokrat i madh dhe na trajtonte ne me dashamirësi të madhe, por nga ana tjetër, nuk duhet të qëndrojmë peng i të shkuarës. Kur je në pushtet ti ke interes që pala që është në opozitë të jetë e përfshirë në këto procese. Pra të ketë diskutime të njëmenda dhe ndarje rolesh në funksion të interesit kombëtar”, tha ai.
Sipas tij, mund ta bëjë këtë edhe Presidenti i Republikës, teksa ka ironizuar se mund ta bëjë edhe Baba Mondi.
“Kur ai flet për Jerusalem Post me padurimin për të krijuar shtetin Bektashi, mund t’i kërkohet mendim edhe për këtë. Dua të them që ne duhet të dalim nga qerthulli vicioz i vëllavrasjes. Jemi të lodhur me njëri-tjetrin, jo më të ulemi ne si një tryezë me gjithë vendet anëtare të BE-së aty do negociosh për çdo gjë. Kur t’i nuk arrin konsensus brenda vendit tënd, ça konsensus pret të gjesh me BE-në”, tha Bushati për Erla Mëhillin.
Lini një Përgjigje