TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Tetor 2024, 20:52

Berisha feston datëlindjen në ballkon: 1 orë jetë si luan, dhjetëra herë më e vlefshme se 1 shekull si zvarranik

Shkruar nga Pamfleti
Berisha feston datëlindjen në ballkon: 1 orë jetë si luan,
Berisha dhe bashkëshortja e tij sot në dritare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij të përnatshme nga dritarja përshëndeti Ervin Salianjin që ndodhet në qeli, teksa u ndal dhe te datëlindja e tij e 80.

Berisha është shprehur se në këtë 80 vjetor ndihet më i motivuar dhe më krenar se kurrë në jetën e tij.

Një orë jetë si luan është dhjetëra herë më e vlefshme se një shekull si zvarranik. Morali ynë është mbrujtur nga Skënderbeu’, theksoi Berisha.

Ndryshe nga herët e tjera, sot në dritare doli dhe bashkëshortja e tij Liria, teksa në rrugën poshtë banesës pati këngë e valle nga mbështetësit.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të mbarë shqiptarëve.

Mirënjohje të pakufishme oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë, që me fjalët e tyre shpërndajnë të vërteta në të katër anët e vendit.

Një përshëndetje të përzemërt Ervin Salianjit dhe të gjithë demokratëve, të cilët qëndrojnë si heronj të vërtetë rezistence në burgjet dhe komisariatet e narkoshtetit, e regjimit të drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Por unë sonte e kam një falënderim dhe mirënjohje të veçante për ju, pararendës të fitores së PD, që me respektin, me ndjenjat miqësore, me dashurinë tuaj, shndërruat këtë ditëlindje timen në ditëlindjen më të bukur.

Në ditëlindjen më frymëzuese të jetës sime.

Ky falënderim shkon në veçanti për anëtarët e Forumit Rinor, të cilët janë sot këtu të pranishëm dhe zbukuruan kaq shumë këtë takim, kësaj radhe kushtuar ditëlindjes time.

Të dashur miq, sot Shqipëria është si asnjë vend tjetër në Europë, është vendi i burgosjes politike dhe persekutimit politik të eksponentëve, drejtuesve, deputetëve të opozitës.

Është vendi që kreu i narkoregjimit ka zgjedhur një lloj si sundimtari i Tunizisë, arrestimin e kundërshtarëve për të marrë mandatin.

Është vendi në të cilin qytetarët vidhen në mënyrën më të tmerrshme nga qeveritarët e tyre.

Por është vendi gjithashtu i të rejave dhe të rinjve, burrave dhe grave të pamposhtur.

Është vendi i atyre qytetarëve demokrate e demokratë, që në një moment kritik të ekzistencës së pluralizmit të vërtetë, demokracisë, u ngritën në traditën e tyre të trimërisë më epike shqiptare për t’i thënë mafies shqiptaro-amerikane, Edi Ramës, Xhorxh Sorosit, McGonigalit dhe të tjerëve se siç thotë fjala e vjetër e këtij kombi, Zot ruajna nga miqtë se nga armiqtë ruhem vetë, u detyruan të ngrihen si Feniks, të mbrohen nga ata miq, të cilët kërkonin të bënin kurban pluralizmin politik për kryekriminelin e kombit shqiptar, Edi Rama.

 

Miq, kjo është ditëlindja që unë ndjehem më i frymëzuar, më i motivuar dhe më krenar se kurrë në jetën time me ju.

Më mirënjohës se kurrë ndonjëherë për guximin, për sakrificën, për trimërinë, për atdhedashurinë, për qenien tuaj shqiptarë mbi shqiptarë.

U treguan barin ata që ecin të zhveshur nga çdo normë morale, kërkuan t’u trembin, t’u mposhtin.

Por ju dhatë leksionin më demokratik, më të guximshëm, më atdhetar se kurrë ndonjëherë.

Ju treguat veten shqiptarë të vërtetë.

Treguat veten qytetarë për të cilët busulla e jetës është e vërteta.

Në kushte më të pabarabarta, ata që me skenarin e tyre makabër besuan se zgjedhjet e majit të vitit 2023 do të ishin fundi i opozitës dhe PD, morën leksionin që meritonin.

Se fuqia para së gjithash dhe mbi të gjitha qëndron tek e vërteta.

Se forca qëndron tek e vërteta.

Dhe së bashku me ju, u bëtë 600 mijë shqiptarë që votuan kundër Shqipërisë pa opozitë.

Votuan kundër narkoregjimit, mafies shqiptare dhe ndërkombëtare.

Miq, ju ftoj të bëni një pyetje vetes, ju të gjithë dhe të tjerët që na ndjekin kudo që janë, po a mund të humbasin kurrë ky soj i rezistentëve, ky soj i heronjve dhe trimave e guximtarëve?

Kurrë mo kurrë, kurrë!

Sepse në shekuj, shpirti ynë, morali ynë u mbrujt me atë të kryeheroit tonë, me atë të Skënderbeut, prijësit të përjetshëm të grave dhe burrave, trima shqiptarë.

Ndaj edhe njëherë mirënjohjen më të pakufishme për familjen time, për ju, për të gjithëfuqishmin Zotin e madh!

Armiqtë tanë, Edi Rama, organizata e tij kriminale, mafia e Xhorxh Sorosit dhe mafia ndërkombëtare, nuk e imagjinonin dot se një orë jetë si luan është dhjetëra herë më e vlefshme se një shekull si zvarranik.

Se një shekull si amoral.

Se një shekull si hajdut.

Këtu qëndron sekreti ynë.

Ja sepse vitet janë vetëm numra.

Ja sepse ne qëndrojmë të pamposhtur.

Ja sepse ne do të fitojmë.

 

Do të fitojmë.

Do të fitojmë.

Do të fitojmë!

Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë!

Edhe njëherë mirënjohjen më të pakufishme për ju, frymëzimi, krenaria, admirimi i Sali Berishës.

Pafundësisht mirënjohës.    

Lini një Përgjigje