
Populli shqiptar meriton një demokraci të fortë, të shëndetshme, ku të gjithë aktorët politikë punojnë së bashku për të mirën e përbashkët të vendit...
Mazhoranca dhe opozita kanë marrë porosi nga Uashingtoni që t’i japin fund kaosit politik.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar ka pritur në një takim delegacionin e deputetëve shqiptarë që ndodhen në SHBA. Në takim kanë qenë përfaqësues të PS dhe PD, teksa mësohet se ata kanë marrë urdhër që të rikthejnë normalitetin në Parlament.
Lidhur me takimin ka reaguar Gazmet Bardhi, i cili ka nisur të sfidojë Berishën, që nuk përfillet nga amerikanët.
“Gjatë vizitës në Washigton DC, zhvilluam një takim në Departamentin e Shtetit me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor z. Gabriel Escobar. SHBA mbetet aleati ynë kyç dhe shqiptarët janë me fat që i kanë në krah.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, duhet ti qëndrojë standardeve të një vendi demokratik dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE”, shkruan Bardhi.
Por ajo që ka zbardhur detaje nga takimi është ambasada amerikane në Tiranë, duke e bërë të qartë se SHBA kërkon dialog. Sipas ambasadës, të gjithë aktorët politikë duhet të punojë për të mirën e shqiptarëve. Pra, edhe Escobar ja u ka vënë pikat mbi “i”, duke kërkuar nga mazhoranca dhe opozita që të lëshojnë pe dhe të gjejnë gjuhën e dialogut.
“Kënaqësi të shohësh përfaqësues të zgjedhur shqiptarë në Uashington së bashku për të punuar për çështje të rëndësishme për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin e fortë me Shqipërinë dhe përfaqësuesit e saj të zgjedhur në çështje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Populli shqiptar meriton një demokraci të fortë, të shëndetshme, ku të gjithë aktorët politikë punojnë së bashku për të mirën e përbashkët të vendit”, njofton ambasada.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë lëvizjet e Bardhit kur të kthehet nga Uashingtoni. Berisha nuk pranon të dorëzohet, ndërsa Bardhi tani do jetë në test, pasi pa SHBA askush nuk ka të ardhme politike.
Lini një Përgjigje