Teksa deputetët e Rithemelimit kanë vijuar sërish me përpjekjet e tyre për të penguar punimet në Kuvend në nisje të seancës plenare në orën 10:00, PS ka hequr nga rendi i ditës votimin për ligjin e basteve online.
Këtë të enjte pritej të kalonte me votat e mazhorancës ligji për lojërat e fatit duke i hapur zyrtarisht ushtrimit të këtij aktiviteti, online por pas kërkesës së grupit parlamentar të PS-së, projektligji u hoq nga rendi i ditës.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 155/2045 për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar” do të diskutohej këtë të enjte në Kuvend, por kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi miratimin e kërkesës së mazhorancës.
Pavarësisht se një numër i madh i deputetëve të opozitës janë të përjashtuar, deputetët e pranishëm, Ina Zhpa, Lefter Gështenja, Edi Paloka kanë vijuar me skenarin e kaosit në Kuvend.
Teksa në seancën e sotme ishte parashikuar të kalonte edhe projektligji për lojërat e fatit, deputeti Dashnor Sula ka vendosur të vijë në Kuvend me një mënyrë të veçantë.
Ai kishte vënë një kapele me logon e një kompanie bastesh. Ndërkohë në xhup kishte ngjitur disa kartmonedha në Euro dhe Dollarë duke ironizuar kështu këtë ligj.
Për mediat ai u shpreh se sot fillon dita e çmendurisë për mazhorancën.
Sipas tij, ligji për bastet online do t’iu shërbejë vetëm politikanëve dhe grupeve kriminale për të pastruar paratë.
“Para 10 vitesh ju kujtohet të gjithëve deklarata e fortë e mazhorancës që tha do i japim fund marrëzisë, kurse sot ka filluar dita e çmendurisë për mazhorancën. Pra përfunduan pastrimi i parave në kullat e ndërtuara dhe sigurisht krimi i organizuar, trafiqet të kokainës, të heroinës që të investoheshin në ndërtim, dhe tani e kanë gjetur gjetjen që pastrimi i parave do të bëhet në sektorin e lotove, bixhozit dhe do të justifikojnë lekët politikanët, krerët e grupeve kriminale të cilët të jeni të sigurtë do jenë përfituesit e parë dhe do ligjërojnë paratë e tyre. Kjo është e tmerrshme”, tha Sula.
Deputetet e Partisë Demokratike të përjashtuar janë pozicionuar në hyrje të parlamentit, ku ka pasur edhe një radikalizimin të qëndrimit sa i përket deputetëve të përjashtuar të opozitës, të cilët iu kanë hedhur miell punonjësve të gardës me argumentin se ata po zbatojnë vendime të paligjshme për ti ndaluar ata që të futet në parlament.
Janë 23 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të cilët janë me masën ndëshkuese të përjashtimit nga punimet e kuvendit dhe si të tillë ata nuk janë lejuar në seancë.
Deputetët e grupimit të Bashës kanë mbërritur pak pas orës 09:00.Për ata Garda ka mundësuar një korridor që deputetët që nuk janë të përjashtuar të futen lehtësisht në godinë, ndërsa të tjerët të qëndrojnë jashtë saj/Pamfleti
Lini një Përgjigje