
Kanë nisur përplasjet mes deputetëve të opozitës dhe Gardës tek dera e Kuvendit teksa në orën 10:00 parashikohet të nisë seanca plenare.
Garda ka rrethuar derën e Kuvendit, për të mos lejuar deputetët e përjashtuar të grupimit Bardhi – Berisha të hyjnë në sallë.
Deputetët e opozitës u afruan drejt Gardës dhe Flamur Noka hodhi miell drejt tyre.
Ai tha se opozita nuk është fasadë e Ramës.
'Në narko-parlamentin e këtij regjimi ka dy rrugë. Shihni përfaqësuesit, kë përfaqësojmë ne? Popullin opozitar. Kush e nisi këtë padrejtësi? Ne na mohuan fjalën. Ata tentuan që të zhbëjnë opozitën. Po për ca jemi zgjedhur ne? Ti bëjmë fasadë Ramës? Ne jemi për të përfaqësuar opozitën, ata që duan lirinë.', tha Noka pas sulmit.


Noka i përjashtuar nga seancat plenare për 20 ditë për shkak të kaosit të krijuar nuk kurseu as sekretarin e Përgjithshëm, Genc Gjonçaj.

Deputetët e përjashtuar të opozitës janë mbledhur në oborrin e parlamentit. Ndonëse ata janë ndëshkuar nga Sekretariati i Etikës ata janë mbledhur në ambientet e jashtme të Kuvendit dhe do të tentojnë të futen në seancën parlamentare.
Mes tyre dallohet edhe Gazment Bardhi, Flamur Noka apo Asllan Dogjani, ndaj të cilëve masa ndëshkuese u mor vetëm një ditë më parë.
Ndërkohë në rendin e ditës është futur edhe ligji për Dekoratat, i cili ishte kthyer më herët nga presidenti Bajram Begaj.
Ratifikimi i marrëveshjes me Italinë për emigrantët azilkërkues mbetet ende në pritje për të marrë dritën jeshile të parlamentit. Kuvendi do të votojë vetëm pasi vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese të jetë botuar më parë në fletoren zyrtare. Kushtetuesja dha dritën jeshile për ratifikim në një vendim të datës 29 janar.
Lini një Përgjigje