TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Shkurt 2024, 08:05

Sot Kuvend/ PS rikthen pas 5 vitesh bastet online, opozita shkon në seancë plenare pa 23 deputetë!

Shkruar nga Pamfleti

Sot Kuvend/ PS rikthen pas 5 vitesh bastet online, opozita shkon në

Ditën e sotme do të mblidhet Kuvendi në një seancë plenare që pritet të fillojë në orën 10:00 ku parashikohen tensione mes mazhorancës dhe opozitës.

Në rendin e ditës së sotme deputetët e Kuvendit të Shqipërisë pritet që të votojnë ligjin që do të rikthejë pas 5 vitesh bastet online, ligj ky që PS i ka votat për të kaluar pasi kërkon shumicë të thjeshtë.

Sot Kuvend/ PS rikthen pas 5 vitesh bastet online, opozita shkon në

Pas tensioneve të krijuara në seancën e fundit parlamentare (5 Shkurt) në Kuvend dje u përjashtuan 4 deputetë të radhës  të Partisë Demokratike.

Gazment Bardhi është përjashtuar nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 ditë duke filluar nga data 08.02.2024 deri më datë 17.02.2024.

Po ashtu vendim për përjashtimin është marrë edhe për deputetët Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani dhe Flamur Noka nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 20 ditë.

Ky vendim erdhi vetëm një ditë para seancës plenare, e cila do të ketë mungesë të theksuar nga opozita.

Më herët socialistët kanë përjashtuar 19 deputetë demokratë po për bllokimin e punimeve të Kuvendit. Por teksa socialistët përjashtuan edhe katër deputetë të tjerë, demokratët pritet të depozitojnë një padi për kryetaren e Kuvendit, të cilën e akuzojnë se shpërdoroi detyrën duke mos lejuar futjen në seancë plenare të deputetëve demokratë.

Paralajmërimin e bëri kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili akuzoi Nikollën se pengoi deputetët e opozitës të hynë në seancën plenare të së hënës.

Seanca e sotme parlamentare nuk do të ketë vetëm një axhendë të ngjeshur, por edhe më pak deputetë se çdo seancë tjetër, pasigjithësej 23 ligjvënës të PD-së janë të përjashtuar nga Kuvendi.

Teksa pritet që udhëheqja e aksionit opozitar të delegohet tek ata që kanë mbetur pa përjashtuar, socialistët kanë një listë të gjatë ligjesh dhe marrëveshjesh, për të cilat do të duhet të japin votën.

Edhe Amnistia Penale, pavarësisht përfshirjes së propozimeve të demokratëve për zgjerimin e personave përfitues nuk do të marrë votën e opozitës në Kuvend.

Ligji për lojërat e fatit, tashmë i ndryshuar pritet të marrë votën e socialistëve në seancë plenare, duke i hapur zyrtarisht rrugë ushtrimit të këtij aktiviteti vetëm ‘online’.

Mazhoranca do të ngrejë kartonin jeshil edhe për projektligjin për Prokurimin Publik, i cili përveç përafrimit me legjislacionin e BE, ka si qëllim përdorimin e Inteligjencës Artificiale nëpër tendera. E gjithë procedura me sistemin e ri që synohet të ngrihet do të bëhet në mënyrë elektronike.

Për këto dy ligje apo dhe listën e gjatë të marrëveshjeve që janë në axhendë, socialistët nuk do ta kenë të vështirë të sigurojnë votat pasi nuk kërkojnë shumicë të cilësuar. I vetmi ngërç që mund të krijohet është nga dekreti i presidentit të Republikës për dekoratat, ligji i parë i kthyer për shqyrtim nga Bajram Begaj, i cili kundërshtoi marrjen e kompetencave nga ana e qeverisë për dhënien e dekoratave.

Për votimin e këtij dekreti do të duhen 84 vota, që e vetme PS nuk mund t’i sigurojë. Pritshmëritë janë që për asnjë prej pikave të rendit të ditës të ketë diskutim parlamentar, veçse pritet për t’u parë lëvizja e mazhorancës për të siguruar votat e nevojshme nga Lulzim Basha.

kuvend bastet online

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje