
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale, në vijim të fushatës së tij për zgjedhjet e pjesshme.
Aktori dhe aktivisti i njohur shpjegon motivet që e shtyjnë të garojë për drejtimin e kryeqytetit.
“Shumë veta më pyesin pse po kandidoj. Po kandidoj për fëmijët tanë, për fëmijët tuaj, për këtë qytet. Që fëmijët tanë të rriten duke ndërtuar kujtime dhe jo duke parë ndërtime”, thotë ai.
Binaj thekson se jeton në Tiranë si çdo qytetar tjetër, me bashkëshorten dhe tre fëmijët, në një pallat të vjetër, në një apartament të vogël, por të ngrohtë e plot dashuri. Ai shprehet se me punën, aktivizimin dhe humorin e tij ka ngritur gjithmonë zërin kundër padrejtësive dhe në mbrojtje të njerëzve që kanë vërtetë nevojë.
“Një Tiranë e pashëndetshme nuk mund të prodhojë qytetarë të shëndetshëm. Në krye të bashkisë së Tiranës nuk duhet një shërbëtor i partisë, por një shërbëtor i qytetarëve”, shprehet kandidati i pavarur.
Në përfundim, Binaj u bën thirrje qytetarëve të bashkohen për një Tiranë më të jetueshme.
“Duhet të veprojmë të gjithë bashkë, për ta kthyer Tiranën në qytetin që duam t’u lëmë fëmijëve tanë”, përfundon Binaj.
Kujtojmë se Flor Binaj, i cili ka marrë mbështetjen e opozitës për Bashkinë e Tiranës reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit Rama gjatë podakastit të tij.
Ky i fundit tha se opozita është e dëshpëruar që zgjedh për kandidat një aktor humori. Ndërsa Binaj e cilësoi kryeministrin si aktorin më të madh në Shqipëri.
“Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë Euro qytetarëve duke “i bindur” se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjiator”, iu përgjigj ai.
Lini një Përgjigje