TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Shtator 2025, 21:07

Kabineti ‘Rama 4’, Preç Zogaj: Qeveria më e zhbalancuar në përfaqësimin e diversitetit shqiptar

Shkruar nga Pamfleti

Kabineti ‘Rama 4’, Preç Zogaj: Qeveria më e zhbalancuar

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot zyrtarisht emrat e kabinetit të ri qeveritar, që do të udhëheqë vendin në mandatin e tij të katërt qeverisës. Në përbërjen e re u vunë re rikthime, ndryshime dhe disa risitë, duke përfshirë për herë të parë prezantimin simbolik të një anëtareje të krijuar nga inteligjenca artificiale.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, analisti Preç Zogaj e cilësoi këtë si një nga qeveritë më të zhbalancuara që Shqipëria ka pasur ndonjëherë në përfaqësimin e diversitetit të saj shoqëror, politik dhe institucional.

Që kur është krijuar shteti shqiptar, qeveritë janë kompozuar zakonisht duke respektuar diversitetin që karakterizon vendin tonë – përfaqësimi gjinor, krahinor, arsimor, apo ai politik.  Kjo qeveri, për herë të parë, duket se ka një përzierje të paqëndrueshme, ku dominon vullneti personal i Kryeministrit për të ‘sajdisur’ me emra ekstravagantë, të cilët shpesh nuk kanë karrierë politike ose përvojë të mjaftueshme.

Shumë emra në këtë kabinet janë përzgjedhur pa një bazë të qartë politike apo meritokracie, duke e parë postin e ministrit si një pikë nisjeje, e jo si një finalizim të karrierës politike, siç do të duhej.

Në çdo demokraci të zhvilluar, posti i ministrit zakonisht kurorëzon një karrierë të ndërtuar me përvojë dhe kontribut publik. Rama e ka përmbysur këtë logjikë, duke promovuar emra të panjohur politikisht, disa prej të cilëve nuk dihet ku kanë përfunduar pas largimit të tyre.  Rama luan me letrat që ka në dorë, disa i hedh, disa i merr mbrapsht. Ka promovime, ka rotacione të brendshme, por mbi të gjitha ka një formë ekstravagance që e lejon vetes si Kryeministër për të habitur – ndonjëherë pa llogaritur pasojat politike”, tha Zogaj.

Lini një Përgjigje