Këshilli i Mandateve do të mblidhet më 23 shkurt, në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Ndërkohë ditën e sotme u mblodhe edhe grupi parlamentari i PS, ku propozoi nismën për ndryshime ligjore në Kodin e Procedurës Penale. Propozimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla.
Sipas propozimit shtohen shtatë subjekte të reja ndaj të cilave nuk mund të shtrihet masa e sigurisë e pezullimit të detyrës. Bëhet fjalë për Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Këshillit të Lartë Shtetëror.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se vendimi për pezullimin e një ministri është skandaloz dhe i pajustifikueshëm pasi nuk cenon personin, por funksionin. Sipas tij ndryshimet e propozuara ligjore nuk cenojnë pushtetin gjyqësor dhe u shpreh se pushteti ekzekutiv është i pavarur në të drejtën e vet për të marrë vendime.
"Nuk është nevoja të jetë çdo gjë e shkruar në germën e ligjit, nëse në frymën e kushtetutës janë të qarta orientimet për të gjithë ata që jetojnë nën atë kushtetutë.
Ajo që e bën skandaloz, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm pezull nga një prokuror dhe gjykatës në një seancë paraprake pa nisur gjyqi për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti se pezullimi nuk cenon personin, i cili prezumohet që është në proces hetimi.Pezullimi cenon funksionin. Të gjithë ato funksione që solli Manja si pjesë e grupi nismëtar për këtë ndryshim, janë funksione që nuk ushtrohen dot pa personin. Kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë e një individi, por pezullohet puna e një institucioni.", tha Rama.
Ai bëri me dije se zv/kryeministrja Belinda Balluku i ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, por ai nuk e ka pranuar sepse sipas tij “dorëheqje në presion dhe në cenim të pushtetit ekzekutiv nuk ka”.
Kreu i qeverisë u shpreh ndër të tjera se kjo nismë dhe rasti për imunitetin ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku në Kuvend nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ai theksoi se fillimisht do të trajtohet çështja e imunitetit dhe më pas ndryshimet do të kalojnë për votim.
Lini një Përgjigje