
Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetues, e cila rrëzoi përfundimisht shpresat e Fredi Belerit për tu betuar si kryebashkiak i Himarës.
Sipas Mbledhjes së Gjyqtarëve, pretendimi i kërkuesit se vetëm nëpërmjet ankimit kushtetues individual të paraqitur në këtë Gjykatë mund të vihet në vend e drejta e tij për t’u zgjedhur nuk është i bazuar, pasi në këtë rast ankimi kushtetues individual nuk është mjeti i vetëm që i garanton legjislacioni për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, për sa kohë ai ka nisur një proces gjyqësor pranë gjykatave të juridiksionit të zakonshëm me të njëjtin objekt, kundërshtimin/shfuqizimin e shkresës administrative nr. 1938/2023, që lidhet me kufizimin e së drejtës për t’u zgjedhur.
Në këtë kuptim, vijon gjykata, duke qenë se pretendimet e tij për kundërshtimin/shfuqizimin e aktit objekt kërkese kërkuesi ia ka nënshtruar juridiksionit të zakonshëm gjyqësor, Mbledhja e Gjyqtarëve evidenton se ato mund t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues që ushtron Gjykata pas përfundimit të procesit të nisur në ato gjykata.
“Për rrjedhojë, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se kërkuesi ka ende në dispozicion mjete të tjera juridike, të cilat, nga pikëpamja e efektivitetit, janë në gjendje të korrigjojnë të drejtën e cenuar. Për sa më sipër, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, nenit 71/a, pika 1, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577/2000, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se kërkuesi nuk ka shteruar të gjitha mjetet juridike efektive në dispozicion përpara se t’i drejtohej Gjykatës dhe se në kushtet kur ky kriter paraprak nuk plotësohet, analiza e përmbushjes së kritereve të tjera të pranueshmërisë bëhet e panevojshme, për shkak të karakterit kumulativ të tyre. Si përfundim, bazuar në të gjithë arsyetimin e mësipërm, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se ankimi kushtetues individual nuk i plotëson kriteret për kalimin për shqyrtim në seancë plenare”, thekson Kushtetuesja.
Lini një Përgjigje