
“Guximi dhe shpresa ishin dy busullat orientuese që e drejtonin Anastas Janullatos në rrugëtimin e tij, krah njerëzve dhe të drejtave të tyre”.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka marrë pjesë sot në ceremoninë mortore për Kryepeshkopin Anastas Janullatos.
Në fjalën e tij, kryeministri grek tha se mungesa e Kryepeshkopit do të jetë e pazëvendësueshme, jo vetëm këtu por në të gjitha vendet e tjera të botës. Mitsotakisu shpreh gjithashtu se guximi dhe shpresa drejtuan Anastasin në rrugëtimin e tij.
Mitsotakis tha se nuk është rastësi që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, pasi Kryepiskopi ishte një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve Shqipërisë dhe Greqisë. Kryeministri grek e cilësoi kryepeshkopin e ndjerë si një “diplomat dashurie”.
“Guximi dhe shpresa ishin dy busulla orientuese që e drejtonin Kryepeshkopin në këtë rrugëtim. Në këtë madhështie ne përulemi. Kryepeshkopi i Tiranës, i Durrësit dhe i gjithë vendit ishte një intelektual i besimit, por edhe një shërbyes i thjeshtë për njeriun që kishte në krah. Ka qenë një shembull i ndriçuar i angazhimit të tij. Mungesa e tij do të jetë e pazëvendësueshme, jo vetëm këtu në vendin e tij, por në të gjitha vendet e tjera.
Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet "diplomati i dashurisë". Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur”, tha Mitsotakis.
Pasi e konsideron veten si një nga të fatlumët që pati mundësi ta njihte Kryepeshkopin, Mitsotakis nuk e fsheh gëzimin teksa tha se kjo është një pasuri personale.
“Ai ishte, siç e kishte quajtur im atë, “i shenjtë dhe i urtë”. Një njeri që të magjepste me dijet e tij dhe një karakter që, pa e shprehur me fjalë, të ftonte me shembullin e tij të bëheshe më i mirë. Pikërisht këtu përputheshin edhe rrugët tona: në aftësinë për të kuptuar problemet e shumicës, veçanërisht të më të dobëtëve, dhe në përkushtimin për të luftuar, pavarësisht vështirësive, që ato të gjenin zgjidhje. Për grekët dhe orthodhoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur, duke ofruar shpresë dhe udhëzim shpirtëror për besimtarët orthodhoksë kudo në botë. Me urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij, ai dëshmoi se Kisha Orthodhokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror, që bashkon popujt. Prandaj, sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na lë”, u shpreh Mitsotakis.
Lini një Përgjigje