TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Nëntor 2025, 11:11

Homazhet për Fatos Nanon, edhe Lulzim Basha i jep lamtumirën e fundit ish-Kryeministrit

Shkruar nga Pamfleti

Homazhet për Fatos Nanon, edhe Lulzim Basha  i jep lamtumirën e fundit

Në Pallatin e Kongreseve po mbahen homazhet në nderim të ish-Kryeministrit, Fatos Nano, i cili u nda nga jeta më 31 tetor në moshën 73-vjeçare.

Mes qytetarëve që kanë bërë homazhe në ceremoninë publike, ishte edhe Lulzim Basha, ish-kreu i PD-së. Basha, i shoqëruar nga Oriola Pampuri, ish-deputete dhe mbështetëse e tij, në përplasjet e brendshme në PD, ka bërë homazhet njëkohësisht me disa figura të tjera politike si Skënder Gjinushi, ish-kryetar i Kuvendit, apo Elisa Spiropali, ministre e Jashtme. 

Në homazhe, veç eksponentëve të lartë të Partisë Socialiste dhe qytetarëve të shumtë, kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të opozitës, si kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kreu i PAA, Agron Duka, si dhe deputeti i PD-së, Arjan Ndoja.

Po ashtu bëhet me dije se të pranishëm janë familjarë të Fatos Nanos, mes tyre bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, djali Sokoli dhe ish-bashkëshortja Rexhina.

Homazhet publike kanë nisur që prej orës 8:30 të mëngjesit të sotëm. Më pas nga ora 11:15-11:45 do të zhvillohen homazhet e personaliteteve shtetërore dhe të trupit diplomatik.

Në ceremoni do të marrin pjesë edhe personalitete politike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, mes tyre Albin Kurti dhe Ali Ahmeti.

Në respekt për kontributin e tij në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare.

Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.

Fatos Nano ka qenë drejtues i Partisë Socialiste për 14 vite, si dhe kryeministër i vendit për pak vite me shkëputje.

Lini një Përgjigje