
Në datën 31 tetor, në Gjykatën Kushtetuese, u mbajt një seancë maratonë lidhur me ankimimin që Erion Veliaj, kryetari i shkarkuar i Bashkisë së Tiranës, kundërshtoi procedurat e ndjekura që e largojnë atë nga drejtimi i kryeqytetit.
Pritet që gjatë kësaj jave, Gjykata Kushtetuese të njoftojë datën e shpalljes së vendimit, dhe më pas mund të shihet nëse në Tiranë do të ketë zgjedhje të pjesshme vendore ose jo.
Avokati Alban Duraj, në studion e “Terminal” në A2CNN, shprehu bindjen se nuk do të kemi zgjedhje për Bashkinë e Tiranës, pasi, sipas tij, “Gjykata Kushtetuese do ta pranojë kërkesën e Veliajt”.
“Besoj që nuk do kemi zgjedhje. Gjykata Kushtetuese do ta pranojë kërkesën e zotit Veliaj. Pra, do të thotë se ai nuk do shkarkohet dhe nga ana tjetër do shfuqizohet dekreti i Presidentit", deklaroi Duraj.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mund t’i drejtohet me kërkesë Komisionit të Venecias, siç ka bërë me rastin e zotit Meta, që nuk ishte në gjendje që të dilte me një vendimmarrje të vetën.
“Mendoj se do të shkojnë në Venecia që të kërkojnë interpretim duke iu drejtuar me disa kërkesa, kështu që edhe në këtë rast, nëse nuk do kenë guximin që të marrin atë barrë, ata do ndjekin rrugën si për zotin Meta”, tha avokat Alban Duraj.
Lini një Përgjigje