"Memorandumi për Kosovën" i studentëve funksionon si një dhuratë politike për pushtetin aktual, duke e shndërruar Vuçiqin, në sytë e Perëndimit, në të vetmin faktor që mund të mbajë nën kontroll nacionalizmin serb. Për Kosovën, kjo situatë është një thirrje për zgjim. Ajo tregon se armiqësia e Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës nuk do të përfundojë me largimin nga pushteti të Aleksandar Vuçiqit. Përkundrazi, struktura që po vjen pas tij mund të jetë edhe më ideologjike dhe më pak demokratike
Dokumenti i quajtur “Memorandumi për Kosovën e Metohinë” është miratuar të shtunën , më 16 maj 2026 nga organizata studentore serbe "Studentët në bllokadë" (Studenti u blokadi), e cila ka udhëhequr protesta dhe bllokada universitare në Serbi. Ky memorandum u prezantua zyrtarisht një ditë më vonë në qytetin e Kragujevcit dhe u strukturua në katër pika kryesore, duke shprehur qëndrimin zyrtar të këtij grupi studentor.
Dokumenti thekson se Kosova është "pjesë e patjetërsueshme dhe integrale e Republikës së Serbisë". Studentët deklarojnë se ky pozicion nuk është vetëm një kategori kushtetuese, por një "imperativ historik dhe moral i cili nuk mund të jetë subjekt i bisedimeve".
Ruajtja e rendit kushtetues serb në territorin e Kosovës cilësohet si "themeli i mbijetesës së shtetit serb" dhe si një "garanci për paqe të drejtë në rajon".
Në tekst potencohet se Kosova nuk përfaqëson thjesht një territor, por është përbërës thelbësor i identitetit kombëtar, historik dhe kulturor serb. Si simbole shpirtërore dhe kulturore përmenden specifikisht monumentet fetare ortodokse në Prizren, Pejë, Banjskë dhe Graçanicë.
Studentët pranojnë se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet në izolim. Ata theksojnë se Serbia duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive me organizatat ndërkombëtare si partnere, por çdo zgjidhje e qëndrueshme duhet të mbetet rreptësisht "brenda kornizave të Kushtetutës së Serbisë" dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Dokumenti e trajton lidhjen me Kosovën jo thjesht si çështje të zotërimit të një pasaporte, por si pjesë të kujtesës kolektive, ku çdo qytetar ka detyrë të kontribuojë në ruajtjen e kësaj trashëgimie. Përzgjedhja e Kragujevcit për shpalljen e dokumentit u bë me qëllim, duke e cilësuar atë si “kryeqytetin e parë të Serbisë moderne dhe qendër të mendimit shtetndërtues serb”.
Publikimi i këtij dokumenti vjen si parapërgatitje për një tubim të madh të paralajmëruar nga këta studentë në Sheshin Sllavia në Beograd.
Përderisa historikisht në Evropë lëvizjet studentore kanë qenë motor i ideve progresive dhe liberale, rasti i organizatës "Studentët në bllokadë" (Studenti u blokadi) dhe “Memorandumit për Kosovën” tregon një realitet tjetër.
Studentët e sotëm në Serbi kanë lindur pas luftërave të viteve të 90-ta. Ata janë rritur në një sistem arsimor dhe narrativë mediale që e paraqet Serbinë ekskluzivisht si viktimë historike dhe që nuk ballafaqohet me krimet e të kaluarës.
Për të fituar mbështetje më të gjerë popullore në një shoqëri kryesisht konservatore, lëvizjet studentore (madje edhe ato që nisin si pro-demokratike apo anti-qeveritare) shpesh përdorin kartën e nacionalizmit dhe Kosovës për të mos u etiketuar si "tradhtarë" nga makineria shtetërore.
Pjesa dërrmuese e opozitës në Serbi ndan të njëjtin qëndrim rigid ndaj Kosovës. Rrjedhimisht, të rinjtë nuk shohin ndonjë model tjetër politik përveç atij që ruan narrativën për "Kosovën si djep të Serbisë".
Ekziston një paradoks i madh në pyetjen nëse mund të ketë demokraci të vërtetë me një mendësi të tillë. Është e mundshme që Serbia të pësojë ndryshime të brendshme demokratike (si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe liria e medias), por këto ndryshime nuk do të përkthehen automatikisht në një politikë të jashtme paqësore apo liberale.
Nëse udhëheqësit e ardhshëm politikë dhe akademikë janë autorët e këtij memorandumi, reformat në Serbi
do të mbeten sipërfaqësore. Një shoqëri që nuk pranon realitetin gjeopolitik dhe bazohet në mite mesjetare fetare, e ka të pamundur të integrohet sinqerisht në familjen e vlerave evropiane.
Ndryshimi i pushtetit pa ndryshuar mendësinë thjesht do të zëvendësonte një elitë autokratike (si ajo aktuale) me një elitë të re, potenca e së cilës bazohet sërish te nacionalizmi ekskluziv.
Publikimi i dokumenteve të tilla nga elita e re intelektuale serbe sjell pasoja direkte afatgjata, sidomos në raportet Kosovë-Serbi. Për rrjedhojë, nuk do të ketë vullnet politik në Beograd për njohje të ndërsjellë, pavarësisht presionit ndërkombëtar. Çdo marrëveshje e arritur në Bruksel apo Ohër do të konsiderohet "anti-kushtetuese" nga këta liderë të rinj, duke e bërë zbatimin e tyre të pamundur. Retorika se Kosova është "imperativ moral që nuk mund të jetë subjekt bisedimesh" mban hapur mundësinë e tensioneve dhe konflikteve të reja në veri të Kosovës. Ky lloj nacionalizmi nga Beogradi vetëm sa do të rrisë presionin mbi serbët lokalë në Kosovë që të mos integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës.
Në afat të gjatë, ky memorandum dëshmon se barriera kryesore për normalizimin e marrëdhënieve nuk është vetëm vullneti i politikanëve aktualë në pushtet, por një problem më i thellë strukturor e kulturor brenda shoqërisë serbe që po bartet me sukses te gjeneratat e reja.
Eurodeputetët dhe diplomatët e BE-së shprehin në mënyrë të tërthortë shqetësim se lëvizjet që nisin si kryengritje qytetare kundër korrupsionit në Serbi, po rrëshqasin drejt popullizmit dhe retorikës së viteve të 90-ta.
Kur studentët dhe elita e re intelektuale nxjerrin memorandume ku Kosova cilësohet si "imperativ moral i panegociueshëm" , Vuçiqi u duket diplomatëve perëndimorë si një lider më pragmatik dhe i arsyeshëm.
Vuçiqi mund të përdor këtë situatë për t'u shitur tek ndërmjetësit e BE-së dhe SHBA-së si një figurë "konstruktive" e cila po mbron stabilitetin rajonal përballë një vale të re të nacionalizmit të pakontrolluar të rinjve serbë.
Sa herë që ndërkombëtarët kërkojnë zbatimin e pikave të vështira të Marrëveshjes së Ohrit, Vuçiqi mund të tregojë me gisht nga studentët dhe universitetet në bllokadë. Mesazhi i tij bëhet i qartë: "Nëse më bëni shumë presion dhe unë bie nga pushteti, në vendin tim do të vijnë këta të rinj ultranacionalistë që do të bllokojnë çdo proces paqeje." Kjo bën që BE-ja të ulë presionin mbi Beogradin për të mos destabilizuar Serbinë.
Duke e zhvendosur fokusin e protestave nga korrupsioni, vjedhja e votave apo sundimi i ligjit tek çështja e Kosovës, studentët kanë hyrë në terrenin ku Vuçiqi dominon mediatikisht.
Për aq kohë sa opozita dhe lëvizjet rinore në Serbi garojnë me Vuçiqin se kush është "më patriot" për Kosovën, Perëndimi e ka të vështirë t'i mbështesë ata si alternativë demokratike, pasi askush në Bruksel nuk dëshiron një qeveri të re në Beograd që është hapur kundër marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, "Memorandumi për Kosovën" i studentëve funksionon si një dhuratë politike për pushtetin aktual, duke e shndërruar Vuçiqin – në sytë e Perëndimit – në të vetmin faktor që mund të mbajë nën kontroll nacionalizmin serb.
Mediat shtetërore dhe tabloidët pro-qeveritarë në Serbi (si Informer, Kurir, Alo dhe televizioni Pink)po përdorin një strategji të dyfishtë dhe mjaft manipulative për ta pasqyruar këtë memorandum dhe protestat studentore. Qëllimi kryesor është mbrojtja e regjimit të Aleksandar Vuçiqit dhe zhvlerësimi i çdo kritike të brendshme. Sipas këtyre mediave, këto lëvizje financohen nga organizatat e huaja me qëllim të, gjoja, destabilizimit të Serbisë dhe rrëzimit të Vuçiqit përmes një "revolucioni me ngjyra". Ato e përdorin memorandumin për të ndërtuar kultin e Vuçiqit si "mbrojtësi i vetëm i vetmuar i Serbisë." Narrativa që krijohet është kjo: Nga njëra anë, Vuçiqi ka presionin e madh të Perëndimit për ta njohur Kosovën, ndërsa nga ana tjetër ka presionin e brendshëm të studentëve radikalë që duan luftë. Kjo e pozicionon Presidentin serb si të vetmin lider të matur e racional në mes të dy zjarreve.
Pas publikimit të këtij dokumenti, Kosova duhet të ndjekë një strategji të matur diplomatike dhe të sigurisë, duke mos rënë në grackën e provokimeve, por duke e përdorur këtë situatë për të forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar.
Kosova duhet t'u faktojë partnerëve perëndimorë (SHBA dhe BE) se ky memorandum është produkt i sistemit arsimor dhe propagandës shtetërore serbe. Uashingtonit dhe Brukselit duhet t'u bëhet e qartë se Serbia po rrit breza të rinj me mendësi millosheviqiane të viteve të 90-ta.
Në anën tjetër, diplomacia e Kosovës duhet të argumentojë se Vuçiqi nuk është "viktimë" e presionit të brendshëm, por arkitekti i këtij nacionalizmi që tani po përdoret si alibi për të mos zbatuar marrëveshjet me Kosovën.
Meqenëse dokumenti përmend manastiret si Banjska, institucionet e sigurisë së Kosovës (AKI, Policia) duhet të rrisin gatishmërinë për të parandaluar çdo tentativë për ekskursione apo provokime të organizuara nga grupe studentore apo ekstremiste serbe në veri. Kosova duhet të koordinojë çdo hap të sigurisë me KFOR-in dhe EULEX-in, duke dëshmuar se është palë e përgjegjëgjshme që ruan stabilitetin, ndërsa lëvizjet në Serbi promovojnë ndryshimin e kufijve me dhunë.
"Memorandumi" dëshmon se pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës nuk janë thjesht politikë e përkohshme e Vuçiqit, por një mendësi e rrënjosur te brezi i ri. Kosova mund të argumentojë se pa hyrjen e saj në NATO (përmes Partneritetit për Paqe fillimisht), rajoni mbetet i ekspozuar ndaj një konflikti të ri në të ardhmen.
Kosova mund t'u drejtohet Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë me argumentin se duke mos e njohur Kosovën, ato pa dashje po ushqejnë nacionalizmin dhe destabilizimin serb që synon ndryshimin e kufijve në Ballkan. Ky memorandum mbase tregon se investimet miliardëshe të BE-së në Serbi nuk kanë sjellë emancipim shoqëror, andaj BE-ja duhet ta shpërblejë Kosovën me hapa konkretë integrues për konstruktivitetin e saj.
Sidoqoftë, kjo atmosferë dominuese në shoqërinë serbe është nga aspektet më brengosëse të realitetit aktual gjeopolitik në Ballkan, pasi përmbys një nga rregullat universale të sociologjisë politike: atë që rinia akademike supozohet të jetë avangarda e progresit, tolerancës dhe ndryshimit demokratik.
Kur kontaminuesit kryesorë të opinionit bëhen studentët, kjo tregon për disa rreziqe dhe simptoma të thella shoqërore. Ky fenomen dëshmon se shoqëria serbe ka dështuar të bëjë katarsisin (pastrimin) shpirtëror dhe politik pas luftërave të viteve të 90-ta. Rinia studentore e sotme është produkt i pastër i një sistemi arsimor që ka përshkruar mitet mesjetare. Për ta, krimet e kryera në Kosovë nuk ekzistojnë ose relativizohen, ndërsa humbja e kontrollit mbi Kosovën përjetohet si një "pajisje e padrejtë" historike që duhet korrigjuar.
Sondazhet e ndryshme të pavarura në Serbi (si ato të organizatës CRTA apo KOMS) tregojnë rregullisht një trend shqetësues: gjeneratat e lindura pas vitit 2000 shpesh shfaqin qëndrime më rigide, më kombëtare dhe më anti-perëndimore sesa prindërit e tyre. Ata nuk e kanë përjetuar izolimin, sanksionet apo bombat e vitit 1999, andaj e idealizojnë nacionalizmin si një formë rebelimi ndaj sistemit aktual ose ndaj Perëndimit.
Kur kjo mendësi vjen nga studentët e Fakultetit Juridik, Filozofik apo Politik në Beograd e Kragujevc, kjo do të thotë se ajo po kodohet në terma shkencorë dhe akademikë Këta të rinj nesër do të jenë: Gjykatësit dhe prokurorët që do të interpretojnë ligjet, profesorët që do të edukojnë brezat e ardhshëm, diplomatët që do të përfaqësojnë Serbinë në botë.
Për Kosovën, kjo situatë është një thirrje për zgjim. Ajo tregon se armiqësia e Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës nuk do të përfundojë me largimin nga pushteti të Aleksandar Vuçiqit . Përkundrazi, struktura që po vjen pas tij mund të jetë edhe më ideologjike dhe më pak demokratike.
Kjo atmosferë e kontaminuar konfirmon se Kosova duhet të ndërtojë sigurinë dhe të ardhmen e saj duke u bazuar te fuqizimi i brendshëm ushtarak, ekonomik dhe te aleancat e forta me Perëndimin, pa pritur një demokratizim të shpejtë apo të sinqertë nga fqinji i saj verior./Pamfleti
Lini një Përgjigje